Trajneri i ekipit kombëtar të fubollit Christian Panucci ka publikuar edhe listën e lojtarëve që do të grumbullojë për ndeshjen miqësore të 26 marsit në Elbasan, me përfaqësuesen e Norvegjisë. Sikundër është bërë tashmë traditë, tekniku publikon listën me lojtarët disa ditë përpara,

teksa më pas për të gjithë gazetarët do të ketë daljen e tij publike në një konferencë për shtyp, ditën e hënë në orën 11.00 në FSHF. Në listën e trajnerit për këtë ndeshje shikohen edhe grumbullimet e disa lojtarëve të rinj që vijnë për herë të parë në skuadrën kombëtare të futbollit, në një kohë që një pjesë tjetër mungojnë edhe për efekt dëmtimi.

Në listë ka katër emra të rinj të cilët për herë të parë do ta veshin fanellën e Kombëtares A. Herdi Prenga që luan në Kroaci me Inter Zapresic është grumbulluar në mbrojtje ashtu si Bujar Lika i Grasshopperit. Ftesë për herë të parë kanë marrë edhe dy talentet e Superiores së Shqipërisë, Kristel Abazaj i Luftëtarit dhe prizrenasi i Skënderbeut, Enis Gavazaj.

Në Kombëtaren A përsëri është ftuar edhe mesfushori i talentuar nga Ferizaj, Ylber Ramadani që po luan me sukses të madh në Danimarkë te Vejle. Mungesa më e madhe për Panuccin do të jetë Amir Abrashi që është lënduar ditë më parë dhe do të mungoj rreth gjashtë muaj por edhe Ansi Agolli i cili nga sa bëhet më dije nuk ka marrë një ftesë për tu grumbulluar me ekipin kuqezi.

Grumbullimi i skuadrës përfaqësuese do të nisë të hënën në datë 19 mars, në Durrës. Ditën e hënë do të bëhet publike edhe programi i plotë mediatik dhe stërvitor për ekipin kombëtar të futbollit, për gjithë javën e grumbullimit.

Artikulli paraprakDËMTIMET VLLAZNIA, DHIMBJE KOKE PËR GJOKËN
Artikulli tjetërPOLICIA AUSTRIAKE KËRKON 40 VJEÇARIN SHQIPTAR, KËRCËNOI ME PISTOLETË KAMARIEREN