Panucci: Sadiku gati, do luajmë për fitore përballë Maqedonisë
Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Panucci në konferencën e fundit për shtyp para ndeshjes me Maqedoninë është shprehur se nuk firmos për barazim, por vetëm për tre pikët. I ndërgjegjshëm për forcën e kundërshtarit, italiani që drejton ekipin kombëtar shqiptar theksoi se do të ketë një mbrojtje fikse për Pandev. “Në ndeshjen ndaj Maqedonisë do të futemi në fushë për fitore. Kemi respekt për kundërshtarin por në fushë do të zbresim për tre pikët. Maqedonia ka një ekip të fortë, por ne jemi përgatitur për maksimumin. Kundërshtari ka lojtarë cilësorë, mes tyre Pandev, për të cilin do të ketë një mbrojte fikse, pasi është një lojtar shumë i mirë” deklaroi ai. Përsa i përket Sadikut, Panucci konfirmoi se është gati për ndeshjen përballë Maqedonisë, ndërsa nuk zbuloi asgjë nga formacioni që do të zbresë nesër në fushë. Agolli: Jemi gati, përqendrim vetëm te ndeshja… Ndërsa kapiteni kuqezi, Ansi Agolli deklaroi se gjendja e ekipit është e mirë dhe të gjithë janë gati për ndeshjen e nesërme në Strumicë. Duke qenë se bëhet fjalë për rivalitet mes dy tifozerive, kapiteni bëri thirrje që ekipi të jetë i përqendruar vetëm në fushë dhe jo te ajo që do të ndodhë në shkallët e stadiumit. “Skuadra nuk duhet të bëjë asgjë më shumë sesa të përqendrohet të ndeshja, te loja jonë, të japim maksimumin për të marrë tre pikët. Cdo gjë tjetër ndikon negativisht lojën” deklaroi ai.