Taulant Xhaka rikthehet në kombëtare, ashtu si Sokol Cikalleshi.
I pari ka munguar disa ndeshje në epokën “De Biazi”, ndërsa i dyti mbeti “në shtëpi” në debutimin e Kristian Panuçit, sepse u vonua në ardhjen e tij në grumbullim. Janë plot 26 kuqezinj, ata që përbëjnë listën e trajnerit të kombëtares shqiptare për dy kualifikueset e radhës, ndaj Spanjës në transfertë dhe ndaj Italisë në “Loro Boriçi”.
Mes tyre edhe emrat e rinj, që Panuçi i ftoi sapo mori detyrën e re: Memolla, Balliu dhe Ahmedi. Rikthim në kombëtare bën edhe Ermir Lenjani, që mungoi ndaj Lihtenshtejnit dhe Maqedonisë. Emri i ri në këtë listë është ai i Emanuele Ndojit, që luan te Brescia në Itali. Ai do të jetë për herë të parë në kombëtaren e madhe, ndërkohë që ka luajtur me grup-moshat kuqezi.
Kujtojmë se ndeshjet zyrtare eleminatore, me Spanjën dhe Italinë, do të luhen respektivisht më datë 6 dhe 9 tetor. Trajneri Panuçi ka vendosur ta zbardhë listën disa ditë përpara nisjes së grumbullimit dhe daljes së tij publike për mediat, ditën e hënë, në orën 10:00, në selinë e FSHF-së. Mësohet se do të jenë të gatshëm për sfidën me Italinë, në Shkodër, edhe futbollistët e skualifikuar për transfertën me Spanjën: Mavraj, Roshi dhe Kukeli.