Papa Françesku mbush sot 85 vjeç, një ditëlindje që e feston vetëm disa ditë pasi festoi 52 vjetorin e shenjtërimit të tij si prift.

Njerëz në mbarë botën, dhe sigurisht jo vetëm katolikë, po festojnë ditëlindjen e Papës, ndërsa mesazhe urimi ka patur edhe nga politika shqiptare.

Kryeministri Edi Rama ka postuar në Facebook një foto me Papën, teksa e uron me fjalët e tij “Jeta është një rrugëtim”.

Nga ana tjetër, Presidenti Ilir Meta e konsideron papën një shembull të frymëzimit të shpresës për një botë në paqe e begati. Ai i shpreh Papës mirënjohjen e tij për mesazhet drejtuar popullit shqiptar “që shqiponjat të kthehen dhe të qëndrojnë në folenë e tyre”. Meta shkruan se mesazhe të tilla, do të vijojë t’i përcjelli edhe ai.

“Gëzuar 85-vjetorin e lindjes Shenjtëria Juaj, Papa Françesku!

Ky përvjetor jubilar, ju gjen si udhëheqësin shpirtëror të besimtarëve katolikë në të gjithë botën, shembull i frymëzimit të shpresës për një botë në paqe e begati ku mbizotërojnë vlerat, dashuria, dinjiteti njerëzor dhe vëllazëria midis besimeve e kombeve.

Ju keni vendosur një gurthemel të çmuar në pasurimin e mëtejshëm të trashëgimisë së marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve dhe Selisë së Shenjtë, përmes Shenjtërimit të Nënë Terezës, të martirizimit të 38 klerikëve katolikë shqiptarë, emërimin e Don Ernest Troshanit si Kardinal Nderi, vizitës Suaj historike në Tiranë, e shumë akte të tjera, duke prekur thellë zemrat e të gjithë kombit shqiptar.

Ju shpreh edhe një herë mirënjohjen për mesazhet Tuaja drejtuar popullit shqiptar, që shqiponjat të kthehen dhe të qëndrojnë në folenë e tyre, ku të jetojnë të lirë, me dinjitet dhe të ndërtojnë të ardhmen e sigurt europiane.

Duke i mbajtur gjithmonë të gjalla emocionet dhe momentet e takimit me Ju në Selinë e Shenjtë, Ju siguroj se mesazhet Tuaja do të vijoj pa u ndalur t’i përcjell me të gjithë fuqinë time, në të mirë të bashkëjetesës së shkëlqyer ndër besime, të përparimit dhe begatisë së popullit shqiptar.

Gëzuar Ditëlindjen At i Shenjtë!”, shkruan Meta.

Papa Françesku lindi më 17 dhjetor 1936 në Buenos Aires, Argjentinë. Këtë vit, ai festoi 8 -vjetorin si kreu i Kishës.

Artikulli paraprakE RËNDË, FËMIJA 1-VJEÇAR QËLLON PËR VDEKJE BABANË AKSIDENTALISHT
Artikulli tjetër“RISI SIMPATIKE PËR QEFLINJTË E TIMONIT” MUND TË PËRSONALIZOSH TARGËN