Vjet të shkrira për Krishtin e Kishën e tij, nga periferia – në periferi e deri në zemrën të krishterimit, në Romë, ku nga rregulltar jezuit e ipeshkëv i periferive, që ishte, u bë Papa i skajeve e skutave të mbarë dheut.

Të flasësh për vitet e gjata të veprimtarisë së Jorge Mario Bergoglios, do të thotë të shkruash vëllime të tëra. Që edhe po shkruhen. Po ne sot duam të kujtojmë me mirënjohje të thellë vetëm ç’e lidh Françeskun me shqiptarët, duke nisur nga vizita në trojet tona, tek shenjtërimi i Nënë Terezës, lumnimi i martirëve të Kishës Katolike shqiptare, krijimi i kardinalit II të shqiptarëve. I takoi Françeskut ta çonte deri në fund lartimin e Nënë Terezës në nderimet elterit, nisur nga Gjon Pali II i cili, më 20 dhjetor 2002, pati njohur virtytet heroike të Motrës imcake shqiptare, për ta Lumnuar më 19 tetor 2009. Ndërsa Françesku e shenjtëroi më 4 shtator 2016, duke hapur kështu, listën e shenjtorëve shqiptarë të kohëve moderne me emrin e Asaj, që ia kishte fituar prej kohe zemrën mbarë botës. Dy ngjarje të mëdha, në një vit, për këto troje falë dashurisë së Françeskut për shqiptarët: menjëherë pas Shën Terezës, Papa Françesku miratoi një proces lumnimi, nisur që më 10.11.2002 në katedralen e Shkodrës e përfunduar lumnisht, në të njëjtën katedrale, më 5 nëntor 2016. Po kush ishte ky meshtar i shpëtuar nga masakra e madhe, pas burgimeve e persekutimeve të rënda? I vetmi i mbetur gjallë pas fortunës së martirizmit? Ishte një prift, që shërbeu gjithnjë ndër katunde, prej këndej, jo shumë i njohur edhe në gjirin e bashkësisë katolike shqiptare. U desh të vinte 21 shtatori i vitit 2014, që të bëhej i njohur jo vetëm nga të vetët, por nga gjithë bota, që i kishte sytë te Shqipëria, prej nga i fliste Papa Françesku. Pashë me sy martirizimin e martirët – pati thënë Papa – që me këtë vizitë i bënte një dhuratë të re shqiptarëve, duke i folur përsëri , pas Gjon Palit II, botës mbarë për martirizmin e madh të këtij populli të vogël. E duke lënë pas porosi, që kanë vlerë për sot e për ardhmërinë. Sepse ishte në Shqipëri pikërisht për të përforcuar në fe Kishën e për të inkurajuar vendin e vuajtur nga ideologjitë e së kaluarës.

Artikulli paraprakAKADEMIA POLITIKE, DIPLOMOHEN 26 LIDERËT E RINJ
Artikulli tjetër“SHKODRA KUJTON” PREZANTOHEN PUNIMET