Papa Françesku nisi këtë mëngjes rrugëtimin që do ta çojë në Kubë e Meksikë. Udhëtimi simbolik i Atit të Shenjtë në vendin e munduar nga dhuna, i ka çuar peshë zemrat e besimtarëve meksikanë.
Afeksioni për Papën argjentinas është i madh, ashtu siç është entuziasmi i vendasve përpara vizitës së tij të parë në Meksikën me popullsinë e dytë më të madhe katolike në botë. 81% e meksikanëve, sipas Peë Research Centre identifikohen si katolikë. Këta njerëz ndiejnë se një amerikano-latin siç është Papa Bergoglio, e kupton më mirë popullin e Meksikës. Në mediat botërore megjithatë, vëmendjen më të madhe e ka pushtuar një moment kyç i këtij udhëtimi: ndalesa në Havanë dhe ai që do të jetë takimi i parë i një Pape me një Patriark të Moskës që prej ndarjes së Kishës në vitin 1054. Ky cilësohet si një nga ato momente të rralla kur krerët kishtarë shkruajnë një faqe të re në histori. Françesku kishte thënë në mënyrë të përsëritur se ishte i gatshëm për një takim me Kirilin në çfarëdolloj vendi e tashmë kjo do të realizohet në kryeqytetin kuban. Patriarku Kiril ndodhet në vendin komunist prej disa ditësh, ndërsa Françesku do të ndërpresë fluturimin për në Meksikë. Aktualisht, Moska është për distancim nga perspektiva perëndimore e kursi i ortodoksisë ruse për afrim me shtetin ngjall jo pak shqetësim. Ndaj dhe shtrëngimi i duarve i Havanës konsiderohet një surprizë, ndërsa fakti që dy liderët kishtarë do të nënshkruajnë një dokument bashkëpunimi tregon se ky nuk është thjesht një takim kortezie.