Papa:Shpresat e rreme shiten e blihen, e vërteta është falas
Duke vijuar ciklin kushtuar shpresës së krishterë Papa Françesku gjatë katekizmit, u ndalua fort tek qëndrimi i njerëzve përballë shpresave të kota, që burojnë nga idhujt e shpresës së vërtetë, asaj që nuk të zhgënjen kurrë. “Shpresat e rreme shiten e blihen, e vërteta është falas”, theksoi Papa duke e ndriçuar katekizmin me shembuj konkretë, të jetuar. “Nganjëherë në Buenos Ájres, më duhej të shkoja nga një kishë në tjetrën, duke kaluar përmes një parku, ku qenë vendosur ca tryeza të vogla. Aty rrinin gjithë ditën fallxhorët . E turma e njerëzve rrinte me orë në radhë për t’i dëgjuar parafoljet e tyre. E ata flisnin gjithnjë të njëjtat fjalë: “një grua e paske në jetën tënde… edhe një hije e paske… e edhe një dritë më duket se po të afrohet… kaq ishte vegimi, që pastaj duhej paguar”. Papa Françesku e tregoi këtë episod, duke shtuar, jashtë tekstit zyrtar: “Kjo të jep siguri. Sigurinë e një marrëzie, që arrin deri atje, sa të të shtyjë të thuash: isha tek fallxhiu a tek vegimtarja e tani ndjehem shumë më mirë!”. Kështu vërejti Papa, që vijoi t’u rrëfente besimtarëve të mbledhur me shumicë në Sallën Nervi: “Kjo më kujton filmin ‘Mrekulli në Milano’. Ç’fytyrë, ç’hundë… 100 lira. Ky, po, është idhull. Shkojmë e blejmë shpresa të rreme; e ç’bëjmë, pastaj me shpresën e vërtetë, me atë, që është falas? Kësaj nuk i besojmë edhe aq shumë. Na kënaqin shumë më tepër shpresat që blihen, shpresat kalimtare, që duket se na i jep ndonjë idhull”.