Papunësia, emigrimi masiv i të rinjve, tonelatat e duhanit të mbetura stok dhe faturat e fryra të energjisë elektrike.
Këto ishin vetëm disa nga problematikat që banorët dhe pronarët e bizneseve të vogla të lagjes Partizani i shfaqën kandidatit të Partisë Demokratike Bardh Spahia gjatë takimeve të zhvilluara në zonën e Rusit. Kandidati Spahia shigjetoi qeverinë aktuale për premtimin e 300 mijë vendeve të reja të punës.
Ai ftoi qytetarët të votojnë Partinë Demokratike, e cila sipas tij është e vetmja alternativë që mbështet të gjitha shtresat. Prej disa ditësh, të gjithë kandidatët e listës së Partisë Demokratike të qarkut Shkodër po takojnë qytetarët, kryesisht drejtuesit e bizneseve të vogla. Nën sloganin “Ekonomi e fortë, e nesërme e sigurt”, ky subjekt politik ka ngritur edhe një program të detajuar për rritjen e cilësisë së shërbimit shëndetësor, përmirësimin e arsimit, rritjen e kujdesit social si dhe rritjen e pensionit minimal për moshën e tretë.