Papunësia në Kosovë gjatë vitit të kaluar ka arritur në 11.8 për qind. Kurse, dy të tretat e popullsisë ishte në moshë pune. Shkalla e papunësisë në tremujorin e katërt të vitit të kaluar ka arritur në 11.8 për qind dhe se dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë në moshë pune. Kështu thuhet në raportin “Rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore, tremujori i katërt 2022“, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), duke shtuar se mbi 38 mijë të papunë ishin më pak se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

“Popullsi aktive ishin 29,508 persona më pak se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak, derisa joaktivë ishin 27,010 më pak. Persona të punësuar ishin 8,789 më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak”.

Agjencia thotë se shkalla e punësimit ishte 2.3 për qind më e lartë se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

“Përqindja e meshkujve të punësuar ishte 4.1 për qind më e lartë sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Kurse, përqindja e femrave të punësuara ishte 0.3 për qind më e lartë sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Shkalla e papunësisë ishte më e ulët për 7.2 për qind sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Kurse te të rinjtë (15-24 vjeç), shkalla e papunësisë ishte më e ulët për 15.6 për qind sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak”.

Raporti pohon se femrat kishin shkallën më të theksuar të joaktivitetit.

“Shkalla e jo-aktivitetit vazhdon të mbetet mjaftë e lartë me 61.5 për qind, duke u rritur me 0.6 për qind krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak. Shkalla e joaktivitetit te femrat ishte shumë e theksuar prej 78.8 për qind, krahasuar me meshkujt me 44.2 për qind”, thekson raporti.

ASK-ja tregon se tregtia, ndërtimtaria dhe arsimi prijnë me punësim.

“Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë tregtia me 18.7 për qind, ndërtimtaria me 12.1 për qind, arsimi me 10.3 për qind, administrata publike dhe mbrojtja me 9.2 për qind dhe prodhimi me 8.2 për qind”.

Në fund, raporti tregon se femrat kryesisht ishin të punësuara në sektorët e arsimit, derisa meshkujt në atë të tregtisë dhe ndërtimtarisë.

“Femrat ishin të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor me 55.2 për qind të tyre. Ndërsa, meshkujt ishin kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë, administratës publike dhe mbrojtjes, prodhimit, si dhe në sektorët e aktivitetit për akomodim dhe shërbim me ushqim me 62.6 për qind”.

Artikulli paraprakRËNIA E NXËNËSVE, MËSUESIT NË RREZIK
Artikulli tjetërLEZHË/ FINALIZOHET OPERACIONI POLICOR I KODUAR “BEFASIA”