Dy shtylla dhe një 11-metërsh i humbur nuk kanë mjaftuar që të ketë gol në miqësoren mes Vllaznisë dhe Dinamos, të luajtur në “Loro Boriçi”. Ndeshja nisi me një rast të mirë për Vllazninë, kur Mala provoi nga jashtë zone, por portieri Rexhepi grushton. Tre minuta para fundit të pjesës së parë, Dinamo shënon por goli anullohet pas sinjalizimit të anësorit Ardit Çobaj për pozicion jashtë loje. Në pjesën e dytë, pikërisht në minutën e 55-të, Boshnjaku do godiste shtyllën, ndërsa pak minuta para fundit, Gruda do të pengohej në zonë dhe arbitri Bekris Dragusha do akordonte 11-metërsh. Nga pika e bardhë, Boshnjaku nuk arrin të shënojë, sepse topi i gjuajtur prej tij grushtohet nga Rexhepi. Përfundimisht, ndeshja mbyllet në barazim 0-0. Pas kësaj ndeshje miqësore, trajneri i Vllaznisë, Migen Memelli u shpreh se ekipi i tij ka ende disa vështirësi, por gjithsesi janë gati për startin e kampionatit.

Trajneri i kuqebluve theksoi se skuadra e tij është në kondicionin e duhur fizik, duke marrë në konsideratë edhe faktin se ndeshjet këtë sezon mund të shkojnë deri në 100-minuta. Trajneri Memelli thotë se janë ende në kërkim të një dubluesi për Bekim Balajn.

Më pas, trajneri Memelli, i pyetur nga “STAR PLUS”, nëse ka pasur kontakte ose ka ndonjë preferencë për Victor Da Silvën, brazilianin që luajti dy sezone me Vllazninë, por që së fundmi ka patur probleme me Partizanin, tekniku kuqeblu u shpreh se nuk mund të thotë asnjë fjalë për momentin. Kampionati i Abissnet Superiore do të nisë javën e ardhshme me 26-gusht, teksa Vllaznia ndeshjen e parë do ta luajë ndaj Kukësit në “Loro Boriçi”.

Artikulli paraprakANSAMBLI I KENGEVE E VALLEVE NË SHËNGJIN
Artikulli tjetërMIQËSORE FEMRA, VLLAZNIA – MITROVICA 0-2