Salla plenare e Parlamentit Europian shpesh është e boshatisur, kur zhvillohen debatet e zakonshme në PE.
Por të martën (17.01) ajo do të jetë e mbushur, sepse çdo votë numërohet. Ka një lloj tensionimi para votimit të Presidentit të Parlamentit Europian. Për herë të parë prej disa dekadash nuk janë bërë ujdi paraprake. Deri tani të dy grupet më të fuqishme parlamentare konservatorët dhe demokratët kanë rënë në ujdi për një kandidat. Të martën vendoset për pasuesin e Martin Schulz, i cili njihet si njeriu që bëri të dëgjohet më me respekt zëri i Parlamentit Europian. Pasiguria kësaj here është e madhe. Të martën duhet të farkëtohen koalicione. Gianni Pitella, kandidati i socialistëve shikon në votimin e së martës një zhvillim pozitiv. “Kjo është gjë e madhe”, thotë ai për Deutsche Wellen. “Të votosh pa ujdi të mëparshme, e në fund fiton kush ka më shumë vota, edhe sikur të jenë 10 më shumë. Kaq shumë demokraci!”
Mospajtim mes socialdemokratëve dhe konservatorëve.
Shumë kandidatë u habitën që socialistët dhe konservatorët hoqën dorë nga koalicioni jozyrtar, gjë që sillte më shumë bashkëpunim në procesin e ligjvënies në PE. Dy grupimet më të mëdha parlamentare dhe liberalët kishin rënë dakord, që pas një socialdemokrati në radhë vinte një konservator si president i parlamentit. Kreu i konservatorëve në Parlamentin Europian, Manfred Weber e kritkoi këtë “tradhti”. Por socialistët e justifikojnë heqjen dorë nga koalicioni me konservatorët, duke kujtuar se dy poste të rëndësishme të BE, presidenti i Komisionit Europian dhe ai i Këshillit janë të zëna nga politikanë konservatorë. Socialdemokrati gjerman në Parlamentin Europian, Udo Bullman mendon se socialdemokratët kanë të paktën të drejtë të kenë njërin nga postet. Liberali Guy Verhostadt, kandidat për President të PE shikon shanse në një kohë që po grinden dy grupet parlamentare të mëdha. Ai synonte të tërhiqte në kampin e tij lëvizjen “Pesë Yjet” në Itali, por euroskeptikët nuk përshtateshin aspak me fraksionin liberal. Megjithatë politikani i Majtë dhe së fundmi edhe kreu u partive të Majta europiane, Gregor Gysi është shprehur se “Parlamenti me zgjedhjen e presidentit e kësaj here e pa koalicion të madh do të bëhet më demokratik, më politik dhe më kritik.”
Të Gjelbrit britanikë me kandidat të vetin.
Më pak shanse kanë kandidatët e nacionalkonervatorëve, të populistëve të djathtë, të Të Gjelbërve e të Majtëve. Habi ka shkaktuar kandidatja britanike për postin e presidentes, Jean Lambert. Ajo vë kandidaturën, megjithëse Britania e Madhe largohet nga BE. Por sipas Lambert, me këtë Të Gjelbrit duan të japin një sinjal kundër Brexit. Europarlamentarë të tjerë e shohin këtë hap veçse si absurd. Në fund zgjidhet ajo kandidate apo ai kandidat që merr shumicën absolute të votave. Vetëm në raundin e katërt mjafton një mazhorancë e thjeshtë. Në çdo raund mund të ofrohen kandidatë të rinj për të kërkuar ngjitjen në postin e presidentit. “Nuk dua të përjashtoj asgjë. Ndoshta ka një kandidat surprizë, që do t’i bashkojë të gjitha votat”, thotë europarlamentarja, Gaby Zimmer.