Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vijon qëndresën e tij për të larguar kryeministrin Edi Rama, por mesa duket kjo gjë nuk do të arrihet vetëm nëpërmjet protestave, të cilat duke iu referuar atyre të fundit ka qenë paqësore.
Që nga 16 shkurti, kryedemokrati në pothuajse çdo protestë ka deklaruar se opozia ia ka dalë në qëllimin e saj, megjithatë Rama vijon të jetë kryeministër i vendit…tha se nuk do të lejonte zhvillimin e zgjedhjeve, por duket se këto ishin deklarata që të mbanin të karikuar protestuesit, sepse zgjedhjet u zhvilluan dhe madje në një atmosferë të qetë. Nisur nga kjo, sot Basha ka deklaruar se ndryshimi, që sipas tij e kërkon popullin, nuk do të jetë më çështje fjalësh, por veprash dhe garancish.
“Shumica absolute e shqiptarëve të vendosur dhe mendjendarë në betejën për largimin e Edi Ramës dhe regjimit të tij, duhet ta dijë se Partia Demokratike, opozita e bashkuar e ka dëgjuar dhe do ti prijë aspiratës tuaj për ndryshim. Ky ndryshim nuk mund të jetë dhe nuk do të jetë çështje fjalësh, por veprash dhe garancish. Së bashku ne do ta kthejmë këtë mazhorancë absolute të refuzimit të regjimit, mazhorancën absolute “Rama ik”, në mazhorancën kombëtare të ndryshimit të madh për çdo shqiptar.
Ai vijon me kërkesën e tij për qeveri tranzitore, që sipas Bashës do të mundësonte krijimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për cilat duhet se është i bindur se do t’i fitojë. Basha ka listuar edhe disa pika nga paketa e PD-së, disa premtime për ndryshimet që do të bëjë me ardhjen e tij në pushtet.
Zgjedhjet e lira e të ndershme do t’i hapin rrugën transformimit politik dhe ekonomik që ka nevojë Shqipëria, ndryshimit që kërkojnë shqiptarët. Qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e lira, do të hapë menjëherë negociatat me Bashkimin Europian, do ta fusë vendin në rrugën e përparimit dhe zhvillimit. Rruga e përparimit, kërkon një ekonomi të lirë dhe konkurencë të ndershme. Lufta kundër monopolove, lufta kundër klientelizmit, lufta kundër kapjes së ekonomisë, lufta kundër varfërisë do të jetë sfida jonë më e vështirë. Shqipëria ka aq shumë pasuri dhe mundësi natyrore, sa shqiptarët mund të jetojnë të gjithë në kamje. Ata duan vetëm lirinë, vetëm konkurencën e ndershme, që të prodhojnë dhe krijojnë me mundin dhe aftësinë e tyre. Ne do t’i hapim tregjet. Do të garantojmë konkurencën e lirë. Do të krijojmë një mjedis, ku të lulëzojë sipërmarrja private. Liria ekonomike do të sjellë punë. Liria ekonomike do të sjellë mirëqenie. Ne do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”, shkruan Basha.
Dje PD-ja i ka kërkuar KQZ-së materialet e 30 Qershorit dhe pamjet me qëllimin për të nxjerrë manipulimet që janë bërë me 30 qershorit. Pas protestës së 8 korrikut, Basha nuk ka caktuar një ditë tjetër ku do të zhvillojë tubimin e radhës kombëtar si dhe ka shumë paqartësi se si do të vijojë aksioni opozitar në ditën në vijim.