Një ditë pas deklaratës së Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, ku bashkia Shkodër paralajmërohej për një gjobë të dytë nëse nuk zgjidhte problemin e tregtarëve ambulantë që shesin produkte me bazë shtazore, kjo e fundit ka reaguar përmes një deklarate me shkrim.

Bashkia justifikohet me gjendjen e trashëguar nga ish-komunat, ndërsa thotë se pushteti vendor nuk është mbështetur sipas parashikimeve ligjore. “Tregjet e hapura me bazë shtazore janë një problematikë e mbartur prej 25 vitesh. Nga bashkimi i komunave kemi trashëguar këtë situatë të rëndë. Nga ana tjetër në kuadër të funksioneve të reja të transferuara, sikurse janë edhe këto shërbime, pushteti vendor nuk është mbështetur me investime, edhe pse këtë gjë e parashikon ligji.

Bashkia Shkodër po e vlerëson vetë këtë mundësi, me besimin se edhe nga entet përgjegjëse shtetërore do të kemi mbështetjen e duhur që ligji parashikon për ta si detyrim”. Në deklaratën e bashkisë thuhet gjithashtu se kjo situatë problematike nuk mund të zgjidhet me gjoba, por me bashkëpunim, ndërsa vë theksin tek dy projektet e saj për tregun e fruta-perimeve. “Megjithatë ky mbetet një shqetësim i madh për ne që nuk zgjidhet me gjoba. Zgjidhet me mbështetje të mirëfilltë për projekt investimi të tregut të gjësë së gjallë. Duhet të mbizotërojë fryma e bashkëpunimit për të ecur përpara dhe për ti bërë gjërat siç duhet, brenda kuadrit ligjor, ashtu siç ne kemi dy projekte për tregjet që do të konkretizohen, edhe kjo problematikë e mbartur prej  shumë vitesh, do të marrë zgjidhje”.

Artikulli paraprakBASHA: DONI LUFTË, LUFTË DO KENI. SHPOJUANI GOMAT, THYENI XHAMAT
Artikulli tjetër2017-TA, BASHKIA 6 MLN LEKË PËR TURIZMIN