Situata kaotike e zjarreve në Shëngjin është vendosur në kontroll.
Zjarrfikësit kanë punuar gjatë gjithë natës duke parandaluar një katastrofë të mundshme natyrore.
Dy vatrat e mëdha, ajo e Ranës së Hedhur dhe ajo pranë Portit të Shëngjinit kanë ulur intensitetin. Ndërkohë pritet ndërhyrja me helikopter për shuarjen totale të flakëve.
Prej dy ditësh zjarri në Shëngjin ka qenë aktiv. Të martën e 30 korrikut situata u përkeqësua, pasi për shkak të erës dhe bimësisë së dendur, flakët iu afruan resorteve turistike tek Rana e Hedhun. Një shtëpi pushimi u dogj ndërsa shumë pushues dhe banorë u evakuuan nga zona.
Forcat e shumta zjarrfikëse, ndërhyrja nga ajri me dy avionë Canadair të ardhur nga Italia dhe helikopteri ndihmuan që të vënë nën kontroll situatën e zjarreve.