Policia kanadeze ka parandaluar një sulm terrorist. Sipas mediave ndërkombëtare policia ka vrarë një person, që zyrtarët thonë ishte duke e planifikuar një sulm vetëvrasës me bombë në një zonë publike.
Dhjetëra oficerë janë parë në Strathroy, qytezë që gjendet rreth 225 kilometra në jugperëndim të Torontos. Policia kishte marrë informacione te besueshme për një kërcënim potencial terrorist. Një zyrtar i lartë policor, në kushte anonimiteti i ka thënë Associated Press se personi planifikonte përdorimin e një bombe për të kryer sulm në një zonë publike. Burime anonime i kanë thënë edhe Reuters se i dyshuari është Aaron Driver, i cili vitin e kaluar është arrestuar pasi hapur ka përkrahur militantët e Shtetit Islamik në rrjete sociale. Driver nuk është akuzuar për asnjë krim, por në muajin shkurt ai me vendim gjykate, lëvizjet i ka pasur të kufizuara. Vendimi gjyqësor thoshte se ai nuk duhej të përdorte rrjetet sociale, kompjuterët dhe se nuk duhej të kontaktonte me grupe ekstremiste siç është Shteti Islamik.