Në janar Italia pritet të regjistrojë deri në 100 mijë raste ditore me koronavirus. Parashikimi është bërë nga Walter Ricciardi, president i Federatës Botërore të Shëndetit Publik i cili foli sot për Sky TG24.
Ricciardi është shprehur po ashtu se programi i dozave përforcuese pritet që të ndihmojë sistemin imunitar të qytetarëve kundër variantit Omicron, por shton ai, nuk mund të sigurojë imunitet të plotë ndaj virusit.
Sipas ekspertit, 44 mijë rastet e djeshme nuk përfaqësojnë kulmin e valës së re: në janar kurba do të vazhdojë të rritet dhe do të arrijë shifra të ngjashme me ato të vendeve të tjera.
“Parashikoj që në janar do të ketë një rritje shumë të fortë dhe në atë moment do të duhet të bëjmë një bilanc të situatës. Me vitin e ri rrezikojmë të kalojmë 100 mijë raste në ditë siç ka ndodhur në Mbretërinë e Bashkuar”, shpjegoi Ricciardi.
Pritet që varianti Omicron të bëhet dominues në Itali dhe shkalla e lartë e infektueshmërisë së tij mund edhe të vërë në vështirësi sistemin shëndetësor. Aktualisht në Itali është bërë e detyrueshme edhe mbajtja e maskave FFP2 në ambiente të jashtme.