Ish kreu i shtetit Alfred Moisiu vlerëson kandidaturën e Ilir Metës në postin e Presidentit. Ai tha se në situatën e vështirë politike ku mungon dialogu dhe vendi është përfshirë në ngërç Ilir Meta është promovuar si një aktor i rëndësishëm për stabilitetin politik në vend. Moisu beson se Meta nuk do te jetë vetëm një mandat 5 vjeçar në krye të shtetit por parashikon 10 vjet.
Alfred Moisiu: Kandidatura është e qartë tani, sepse konsensusi në një mazhorancë është i plotë dhe unë mund të them që në situatën aktuale është një zgjidhje nga më të goditurat. Pse e them këtë?! Sepse Ilir Meta është njeri që në vazhdimësi ka manifestuar frymën e konsensusit me shumë sukses. Pra është një arritje e tij personale, është edhe një përvijim i figurës së tij politike, i tendencës së tij politike që të ketë ballancë me forcat politike. Është shumë e rëndësishme tek ne vecanërisht në situatën e sotme politike dhe unë gjykoj që kjo punë ka marrë fund, pavarësisht se procedurat kanë radhën e tyre. Me këtë rast unë dua ta uroj paraprakisht, mbase jam edhe i pari që e uroj Ilir Metën për këtë punë, por kam edhe një gjë tjetër. Them se kjo do të thyejë edhe tabunë e një mandati 5 vjeçar të Presidentëve shqiptarë.
Do ta shpjegoj për çfarë bëhet fjalë. Deri tani të gjithë presidentët kanë bërë nga një mandat, edhe kjo për mendimin tim do të arrihej pas shumë viteve. Po ja që u krijua një rast që me raportin që ka Ilir Meta qoftë me të majtën apo me të djathën, por ka edhe një parti që ka kryesuar që tani me siguri ka për ta lënë se është i detyruar nga kushtetuta, kështu që do ketë një vazhdimësi dy mandatçe, do jetë i pari që do bëjë 10 vjet President.