Një person ka qëlluar me armë zjarri ndaj grupit të kontrollit të territorit të policisë vendore Shkodër. Gjatë një aksioni për goditjen e një parcele droge në Repisht të Malësisë së Madhe, një shtetas ende i paidentifikuar qëlloi me armë zjarri. Nga të shtënat mësohet se nuk raportohen efektivë të plagosur të policisë së shtetit. Ndërkohë menjëherë pas kësaj ngjarje janë nisur drejt Repishtit forcat speciale të RENEA, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe forca të tjera të policisë Shkodër në kërkim të personit që qëlloi me armë zjarri gjatë kontrolleve të policisë për goditjen e parcelave te drogës. Për policinë mbetet e vështirë gjetja e autorit që ka qëlluar në drejtim të efektivëve për shkak se Repishti është një territor i thyer malor duke e favorizuar personin në fjalë që uniformat blu po e kërkojnë në mënyrë intensive.

Ndërkohë forcat RENEA përveç kontrolleve nga toka bashkë me FNSH dhe efektivë të tjerë të policisë së Shkodrës janë duke kërkuar edhe me helikopter nga ajri për të gjetur autorin që qëlloi me armë zjarri dhe për të bërë më pas identifikimin dhe kapjen e tij. Ndërkohë ky nuk është rasti i parë që këtë vit ka të shtëna ndaj policisë në kontrollet për parcela droge. Sipas burimeve janë edhe të paktën tre raste të tjera, një në afërsi të Oblikës në Anën e Malit, një rast tjetër në Malësinë e Madhe dhe një tjetër në territorin e bashkisë Vau Dejës. Puna e policisë në këto zona të thella malore mbetet e vështirë.

Në pjesën më të madhe të aksioneve, kur gjenden parcela droge autorët nuk janë aty pasi arrijnë që të largohen pa ardhur policia, kjo për shkak të terrenit malor që i favorizon. Deri më tani, gjatë këtij viti policia ka goditur mbi 300 mijë rrënjë kanabis sativa ndërsa në disa raste ka vënë në pranga autorë të ndryshëm të kultivimit por pjesën më të madhe këto operacione mbeten pa autor. Policia e Shkodrës edhe më përpara ka bërë të ditur se do të vijojë pa ndërprerje luftën kundër kultivimin të bimëve narkotike ndërsa i ka bërë thirrje qytetarëve që të tregohen bashkëpunues si dhe të mos bëhen pjesë e kësaj veprimtarie kriminale.

https://youtu.be/od2qASb_rzU

Artikulli paraprak80 VJETORI I HERONJVE TË VIGUT ME SIMBOLET KOMUNISTE
Artikulli tjetërTË SHTËNA ME ARMË GJATË OPERACIONIT ANTI-KANABIS, POLICIA: PERSONA TË PAIDENTIFIKUAR QËLLUAN NË AJËR