Policia franceze është në kërkim të tre personave të rrezikshëm. Operacioni është zhvilluar mbrëmjen e së hënës në stacionin e trenave Gare du Nord në kryeqytetin francez Paris.
Siç shkruajnë mediat franceze, një tren me 200 pasagjerë i është nënshtruar një kontrolli të rrepte, por pa rezultat. Në orët e vona të mbrëmjes së të hënës platformat e stacionit të trenit u evakuan dhe zona u rrethua nga policia e armatosur. “Është duke u zhvilluar verifikimi i një alarmi”, tha policia. Ndërsa pak para orës 2 të mëngjesit, u njoftua se kontrollet përfunduan dhe në stacion u kthye normaliteti.
Prania e këtyre tre personave që konsiderohen të rrezikshme është sinjalizuar nga një kontrollues dhe një shitës. Gazeta Le Parisien tha se “që nga e premtja, tre burra janë raportuar në Paris, Bordo dhe Marsejë, duke detyruar policinë të ndërmarrë operacione në të treja këto qytete, por deri tani nuk ka asnjë arrestim. Franca është në një gjendje të jashtëzakonshme që nga sulmet e Parisit të vitit 2015. Siguria ishte rritur në të gjithë vendin për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, që u zhvillua të dielën.