Ndotja e ajrit në Paris ka kapur sërish majat një muaj pasi kryeqyteti francez shënoi muajin e kaluar nivele rekord të ndotjes në një dekade
, çka shtyu autoritetet të ofronin parkim falas për ata që zgjedhin ta braktisnin përkohësisht lëvizjen me makinë. Parizjenët janë këshilluar të përdorin sa më shumë mjetet e transportit publik, të marrin disa vetë në një makinë që të shmangin përdorimin e shumë mjeteve e të përpiqen të ngasin ngadalë, në mënyrë që të lëshojnë më pak gaze të dëmshme për atmosferën. Në fillim të dhjetorit, u vendosën deri edhe kufizime udhëtimesh bazuar në numrin e targës; ato që përfundonin me numër tek duhet të lëviznin në ditë të ndryshme nga targat me numër çift. Valentine Laforet është nga Parisi, por tani jeton në Marsejë dhe kur u kthye në qytetin e lindjes, ndjeu një ndryshim. “Kur erdha tre ditë më parë nga Marseja, pata një ndjesi të çuditshme. Unë në Paris jam lindur e rritur, por era e tij nuk ishte njësoj”, tha Valentine Laforet, parizjene. Vincent Loubinox, i cili studion për biznes dhe vetë nuk i jep makinës, thotë se e mbështet plotësisht promovimin që i bëhet transportit publik si alternativë për automjetet private. Nga mesi i janarit, Parisi do të bëhet qyteti i parë francez që do të adoptojë sistemin e ri “Crit’Air”, i cili i detyron të gjitha makinat të vendosin një pullë me ngjyrë dhe një shifër mbi të, ku tregohet mosha e mjetit dhe niveli i ndotjes së prodhuar prej tij.