Për herë të parë policia e Shkodrës ka ndërmarrë një aksion për parkimet e gabuara në rrugën përballë gjykatës së shkallës së parë.

Në rrugën “Don Bosko” ku parkimi i mjeteve motorike është i ndaluar në pjesën përballë gjykatës forcat e rendit të policisë përmes një aksioni kanë vendosur gjoba për të gjitha makinat e parkuara aty. Që në hyrje të rrugës tabale e sinjalistikës tregon se aty nuk mund të parkosh. Pavarësisht kësaj çdo ditë aty janë parkuar me dhjetra makina pa marrë parasysh tabelën që e ndalon një gjë të tillë. Në këtë mënyrë policia e rendit mësohet se brenda pak minutave ka vendosur mbi 50 masa administrative gjobë për të gjitha mjetet që kanë qenë aty. Gjobat janë vendosur kryesisht makinave të avokatëve, noterëve por edhe vetë gjyqtarëve të gjykatës së Shkodrës, përmbarimit apo edhe qytetarëve të thjeshtë të cilët kanë parkuar në mënyrë të gabuar. Gjobat e vendosura kanë nisur nga 1 mijë lekë të reja dhe deri në maksimumin e mundshëm. Po ashtu mbi 5 mjete janë shoqëruar në komisariatin e Shkodrës ndërkohë që për shumë të tjerë janë hequr lejet e qarkullimit. Nga ana tjetër në vend policia e rendit ka bërë edhe verifikimin për çdo mjet që ndodhej i parkuar në mënyrë të gabuar teksa një pjesë rezultuan pa siguracion të paguar apo kishte mjete që kishin deri në 12 gjoba të vendosura por të papaguara. Ky aksion ka ardhur pasi në segmentin ku ndodhet gjykata e Shkodrës për shkak të parkimit në të dy anët e rrugës qarkullimi është i vështirë dhe krijohet jo rrallë herë edhe kaos në trafik. Burime pranë policisë së rendit bëjnë me dije se ky aksion do të vijojë në vazhdimësi deri sa ai segment rrugor të ketë një disiplinim të plotë.

Artikulli paraprakAKSIDENTOHET 37 VJEÇARI ME MOTORÇIKLETË, NË RREZIK PËR JETËN
Artikulli tjetërKËRKESAT PËR AZIL NË GJERMANI, GLOS: NDËRTONI VENDIN TUAJ!