Parku i Divjakës, 4 organizata thirrje qeverisë: Mos lejoni ndërtime
Organizatat mjedisore kombëtare dhe ndërkombëtare i bëjnë thirrje qeverisë shqiptare të mos lejojë urbanizimin e Parkut Kombëtar “Divjakë-Karavasta“ dhe të garantojë mbrojtjen që i takon sipas Ligjit të Zonave të Mbrojtura dhe Konventave Ndërkombëtare të ratifikuara nga vendi ynë. Njoftimi për planet e kompanisë Mabetex për të ndërtuar një qendër të re urbane në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, ka shqetësuar shumë organizata me fokus mbrojtjen e natyrës, të cilat e kanë ngritur zërin kundër këtij plani shkatërrues për ligatinat më të rëndësishme në detin Adriatik. Parku Kombëtar “Divjakë-Karavasta” është shpallur territor i mbrojtur që në vitin 1964. Sot ai zë një sipërfaqe prej më shumë se 22 200 ha dhe mbron një ekosistem unik të përbërë nga laguna, duna ranore, pyje bregdetare me florë dhe faunë shumë të pasur. Në këtë ekosistem gjenden pyjet me pisha mbi 400 vjeçare, është zonë qëndrimi për miliona shpendë shtegtarë dhe përbën vendin e vetëm të folezimit të Pelikani Kaçurrel, simbolit të Parkut Kombëtar dhe të natyrës në Shqipëri. “Për shkak biodiversitetit të tij të pasur, Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është shpallur në vitin 1995 si Zona e Parë Ramsar në Shqipëri. Përveç kësaj, zona është listuar si Kandidat për Rrjetin Emerald nga Konventa e Bernës dhe njëkohësisht zonë pilot për rrjetin Natura 2000 në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Një vendimarrje për ndërtimin një qendre urbane në zemër të Parkut Kombëtar do të sillte fundin e zonës së mbrojtur”, tha Gabriel Schwaderer, nga Fondacioni Gjerman për Ruajtjen e Natyrës, EuroNatur. Projekti i ndërtimit Mabetex dhe infrastruktura shoqëruese e tij ndikojnë në të gjithë Parkun edhe pse zona e ndërtimit mbulon 1170 ha. Ai parashikon të presë 18000 vizitorë në ditë, ndërtesa 6 deri në 20 kate përgjatë më shumë se 12 km vijë bregdetare, 2400 apartamente, 370 vila dhe hotele me 4300 shtretër. “Resorti i planifikuar në PK Divjakë-Karavasta bie ndesh jo vetëm me ligjet për mbrojtjen e natyrës por gjithashtu nuk garanton zhvillimin e qëndrueshëm të zonës. Ne besojmë se turizmi masiv, sidomos në këtë Park Kombëtar, nuk është pika më e fortë e Shqipërisë. Për të qenë konkurentë me fqinjët, Shqipëria duhet të orientohet drejt eko-turizmit. Ndërtimi i këtij qyteti të ri do të linte në harresë vetë qytetin e Divjakës dhe do të falimentonte bizneset e sapolindura në zonë”, tha Olsi Nika, drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania. Shndërrimi i Parkut në një kantier gjigand ndërtimi për mbi 15 vjet dhe kthimi i tij në një qytet të madh dhe të zhurmshëm do të sjellë tjetërsimin e pakthyeshëm të ekosistemit dhe humbjen e të gjitha gjallesave. “Ne jemi tërësisht kundër kërtij modeli të propozuar dhe do të vijojmë përpjekjet tona me të gjitha mjetet demokratike ligjore, kombëtare dhe ndërkombëtare, për të mos lejuar një vendimarrje të gabuar e të rrezikshme për të gjitha Zonat e Mbrojtura në Shqipëri”, tha Taulant Bino, Drejtor Ekzekutiv i AOS. OJQ-të kombëtare të ruajtjes së natyrës AOS, EcoAlbania dhe PPNEA, së bashku me OJQ-në ndërkombëtare EuroNatur, kundërshtojnë fuqimisht planet urbanizuese të grupit Mabetex dhe i bëjnë thirrje Qeverisë Shqiptare dhe Ministrisë përkatëse të Mjedisit të mos lejojnë shkatërrimin e Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta.