Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka caktuar numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Komisioni Qendror vendosi që Tiranës t’i shtohet një mandat, duke çuar në numrin e përfaqësuesve në Kuvend në 37 nga 36 që ishte deri tani, ndërkohë qarkut të Korçës pritet t’i hiqet një mandat, duke e çuar numrin e përfaqësuesve nga 2025 në 10 mandate, nga 11 që ishin në zgjedhjet e kaluara.

Zgjedhjet e vitit të ardhshme do të mbahen më 11 maj, datë kjo e dekretuar nga presidenti Bajram Begaj ditën e djeshme.

Vendimi:

Tiranë më 05.12.2024

Zgjedhjet 2025 – KRr miraton numrin e mandateve për çdo qark dhe ngritjen e zonave të administrimit zgjedhor

Sot, Komisioni Rregullator shqyrtoi projektvendimin “Për caktimin e kufijve dhe ngritjen e zonave të administrimit zgjedhor, për Zgjedhjet për Kuvend të vitit 2025”.

Komisioni caktoi kufijtë dhe ngritjen e 93 (nëntëdhjetë e tre) Zonave të Administrimit Zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvend, që do të mbahen në datën 11 Maj 2025.

Bashkitë që kanë më shumë se 80 mijë shtetas me të drejtë vote ndahen nga KQZ-ja në më shumë se sa një ZAZ, duke respektuar kriterin e pandashmërisë së territorit të njësisë administrative, vazhdimësinë dhe kompaktësinë e territorit, barrierat gjeografike, mundësitë e mira të komunikimit brenda territorit dhe numër të përafërt zgjedhësish.

Gjithashtu, u shqyrtua edhe projektvendimi “Për miratimin e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore, për Zgjedhjet për Kuvend të vitit 2025”.

Komisioni Rregullator miratoi numrin e mandateve për 12 qarqet e vendit, si më poshtë vijon:

1. Qarku Berat 7 mandate
2. Qarku Dibër 5 mandate
3. Qarku Durrës 14 mandate
4. Qarku Elbasan 14 mandate
5. Qarku Fier 16 mandate
6. Qarku Gjirokastër 4 mandate
7. Qarku Korçë 10 mandate
8. Qarku Kukës 3 mandate
9. Qarku Lezhë 7 mandate
10. Qarku Shkodër 11 mandate
11. Qarku Tiranë 37 mandate
12. Qarku Vlorë 12 mandate

Komisioni Rregullator vendosi shtyrjen e shqyrtimit të projektvendimit “Mbi rregullat për numërimin dhe vlerësimin e votave nga jashtë, dokumentacionin përkatës dhe mënyrën e plotësimit të tij, si dhe tabelimin e rezultatit të votimit nga jashtë”.

Artikulli paraprakPROMOVOHET LIBRI “DËSHMI E NDËRGJEGJES”
Artikulli tjetërBASHKIA PROJEKT PËR MUZETË