Parlamenti Europian në seancën plenare të ardhshme më 3 tetor 2023, do të diskutojë në lidhje me sulmin terrorist mbi Policinë e Kosovës nga një grup i armatosur serb, në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, ku mbeti i vdekur polici Afrim Bunjaku. Ky vendim është bërë i ditur përmes një njoftimi zyrtar në faqen e Parlamentit Europian.

“Kuvendi do të debatojë për zhvillimet e fundit në Kosovë

Pas përleshjeve të fundit vdekjeprurëse në veri të Kosovës, eurodeputetët do të diskutojnë të martën për marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës me Komisionin dhe Këshillin. Këtë javë, Përfaqësuesja e Lartë dënoi në termat më të ashpër sulmin e një bande të armatosur kundër policëve të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës më 24 shtator, i cili la të vdekur një polic dhe tre sulmues të grupit serb. Në dy raporte të miratuara në maj 2023, eurodeputetët i kërkuan Serbisë dhe Kosovës të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE -ja dhe të sigurojnë pa vonesë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyjave bazuar në parimin e njohjes reciproke. Serbia është një vend kandidat për në BE që nga viti 2012 dhe negociatat për anëtarësim kanë filluar në vitin 2014. Kosova zyrtarisht ka aplikuar për anëtarësim në BE në dhjetor 2022.

Procedura: Deklaratat e Këshillit dhe Komisionit, pa rezolutë

Debati: E martë, 3 tetor”-thuhet në njoftim.

Artikulli paraprakRAMA PROPOZOI QË KFOR-I TA KONTROLLOJË VERIUN, REAGON KURTI
Artikulli tjetërVUÇIÇ PËR SULMIN NË BANJSKË: SERBIA DO TË HETOJË VRASJEN E POLICIT TË KOSOVËS