PE, komiteti “LIBE” vendos sot rreth liberalizimit të vizave për Kosovën Komiteti për të drejtat civile, drejtësinë dhe çështjet e brendshme (LIBE) në Parlamentin Europian pritet që pasditen e kësaj të hëne të votojë për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke i hapur kështu “dritën jeshile” Parlamentit Europian të vendosë nëse qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së.
“LIBE” pritet të votojë përmes kundërshtimeve të një numri vendesh anëtare të BE-së, që gjithsesi e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, por një rezultat i pafavorshëm do të shtynte të gjitha proceset për Kosovën për një periudhë të pacaktuar, shkruan “Radio Evropa e Lirë”. Kundërshtimet në BE ndaj Kosovës janë shtuar pas pezullimit të votimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, por në veçanti ato janë të theksuara për shkak të “mungesës së rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivelet e larta” dhe forcimit të sundimit të ligjit, që do të ndalonte migrimin ilegal. Dy raportueset e Parlamentit Europian për Kosovën dhe për liberalizimin e vizave, Ulrike Lunaçek dhe Tanja Fajon e cilësuan dështimin e Kuvendit të Kosovës për ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi, në fillim të shtatorit, si keqardhës, por kanë nënvizuar se votimi në “LIBE” do të procedohet. Të dy raportueset kërkuan nga Kosova që të përmbushë detyrimet e saj sa më parë, përfshirë demarkacionin me Malin e Zi. Ndërkohë, Komiteti për Politikën e Jashtme në Parlamentin Europian, edhe pse me një rezultat shumë të ngushtë, ka nxjerrë në fillim të korrikut një vendim për liberalizimin e vizave për Kosovën, pavarësisht kundërshtimeve për mospërmbushjen e dy kushteve të mbetura, atë të thellimit të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Votimi në komitetin “LIBE” ishte parashikuar të bëhej në korrik të këtij viti, por u shty për më 5 shtator, me shpresën se politikanët e Kosovës do të arrinin një pajtueshmëri për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Por votimi në Kuvendin e Kosovës u pezullua, meqë Qeveria e Kosovës e tërhoqi projektligjin me arsyetimin e “mungesës së kushteve”.Sipas informacioneve te fundit,mesohet se PE dhe “LIBE”kane votuar kunder liberalizimit te vizave me Kosoven.Eshte kerkuar shtyrja e vendimit per kete.