Parlamenti Evropian edhe një herë u ka bërë thirrje pesë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë në mënyrë që të rrisin kredibilitetin e BE-së.
Këtë thirrje, sikur edhe shumë herë më parë, Parlamenti Evropian e ka përsëritur përmes Rezolutës, e cila është miratuar në seancë plenare. Ajo u miratua me 474 vota në favor, 134 kundër dhe 64 abstenime. Në raportin e miratuar, të cilin e kishte përgatitur, zëvendëskryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, bëhet thirrje edhe për vazhdimin e dialogut me Beogradin, për zbatimin e dy kritereve të mbetura për liberalizimin e vizave, për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe për vazhdimin e reformave në drejtësi.
Thirrja për normalizim të raporteve i është dërguar edhe Serbisë në një Rezolutë tjetër që u miratua edhe për këtë shtet të njëjtën ditë. Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek pas miratimit të kësaj rezolute ka thënën se votimi i sotëm, vetëm disa ditë pas zgjedhjeve në Kosovë, dërgon një sinjal të fortë se e ardhmja e Republikës së Kosovës është në Bashkimin Evropian. “Para se gjithash ky raport u bën thirrje politikanëve dhe partive politike që shpejtë të formojnë qeverinë në një frymë Evropiane dhe të vazhdojnë rrugën drejt BE-së, si dhe të lëvizin drejt liberalizimit të vizave që e meritojnë aq shumë qytetarët e Kosovës”, ka thënë ajo.
Në tekstin e Rezolutës, përmendët edhe rëndësia e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe miratimi që pritet t’i bëhet marrëveshjes kornizë për pjesëmarrjen e Kosovës në programet e BE-së. Gjatë debatit i cili i ka paraprirë votimit të këtij raporti, shumë deputetë kanë tërhequr vërejtjen edhe për përzierjen e Serbisë në çështje e Kosovës, sidomos përmes serbëve të Kosovës.
Kanë inkurajuar përfaqësuesit e serbëve të Kosovës që të integrohen në institucionet e Kosovës dhe që më shumë të veprojnë në mënyrë të pavarur nga Beogradi. Disa deputetë kanë përsëritur shqetësimet për rastet e ekstremizmit dhe radikalizmit fetarë në Kosovë, por shumë prej tyre kanë shprehur mirënjohje edhe për sukseset e Kosovës në luftë kundër terrorizmit.