Në një kohë kur çështja e financimit të forcave politike është kthyer në qendër të vëmendjes një shqetësim se partitë nuk deklarojnë shpenzimet është konstatuar edhe në një raport të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për procesin zgjedhor të 25 prillit 2021. KQZ e publikoi sot raportin, ndërkohë Komisioneri i Zgjedhjeve vendosi t’i japë 10 dite kohë subjekteve për të deklaruar raportet në KQZ, pasi ligji parashikon dënim me gjobë. Auditimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka arritur në përfundim se dy forcat politike kryesore, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike duhen ndëshkuar pasi nuk kanë deklaruar burimin e të ardhurave për 86 kandidatë për deputetë.
Partia Socialiste sipas KQZ ka tejkaluar kufirin e lejuar ne Kodin Zgjedhor, i cili parashikon se një subjekt nuk mund të shpenzojë më shumë se sa trefishi i parave të përfituara nga buxheti i shtetit. PS në total deklaron se ka shpenzuar 172 milionë lekë, nga 167 milion që ishte shuma e lejuar. Në raport thuhet se tejkalimi ka shifrën e rreth 4.5 milionë lekëve dhe sipas parashikimeve ligjore partia ne pushtet duhet të gjobitet me vlerën e 5 milion lekëve. Kandidatët për deputet vijojnë të jenë problem për Partinë Socialiste, pasi për 17 prej tyre nuk dihet ku i siguruan paratë për të bërë fushatë. Për këtë shkelje Partia Socialiste rrezikon të ndëshkohet nga 500 mijë deri 1 milion lekë. Me gjobë pritet të dënohet edhe Partia Demokratike. Forca më e madhe e opozitës nuk ka deklaruar burimin e të ardhurave për 69 kandidatët e saj për deputet. Juristi Indrit Sefa duke pranuar shkeljen ligjore kërkoi më shumë kohë për të justifikuar të ardhurat e 50% të listës se kandidatëve. Demokratet nuk kanë justifikuar as shpenzimet për aktivitetin e fushatës me vlerën 6 milion lekë pasi nuk kane fature apo kupon tatimor. Ish-Lëvizja Socialiste për Integrim ka rezultuar pa probleme nga auditi i zhvilluar duke respektuar kufirin ligjor sa i takon shpenzimeve dhe depozitimit të dokumentacionit ku vërtetohen ato.
Kutjojmë se disa ditë më parë KQZ i ka dërguar shkresë Komisionit të Reformës Zgjedhore për disa rekomandime të pjesshme për ndrysime të kuadrit ligjor zgjedhor. Mes 3 rekomandimeve përfshihen dhe rregullat e financimit të fushatës zgjedhore. Duke qenë se ka ende punë për të bërë për financimin e partive politike, KQZ thotë se nuk ka kohë për të bërë ndryshime themelore e për t’i vënë në zbatim në zgjedhjet e ardhshme. Për këtë arsye sugjerojnë:
“Të përcaktohen rregulla për pasqyrimin e fushatës zgjedhore në median në internet (online), në rrjetet sociale dhe në median e shkruar. Të përcaktohen rregulla në lidhje me financimin dhe fushatën e subjekteve të identifikuara si ‘palë të treta’.”