Partitë shqiptare në Mal të Zi takojnë Bushatin:Jemi grupuar në 3 koalicione
Partitë shqiptare që janë të regjistruara në Mal të Zi janë grupuar në 3 grupime ndonëse janë 8 në total. Fakti është bërë i ditur gjatë një takimi që Ministri i Jashtëm Ditmir bushati ka pasur me përfaqësues të këtyre partive, ku iu ankuan atij për përçarje politike gjë që ndikon edhe në mosvotimin e shqiptarëve për partitë politike shqiptare. Bushati vuri në dukje vëmendjen e madhe me të cilën Qeveria e Shqipërisë ndjek gjendjen e shqiptarëve në Malin e Zi dhe në rajon. Ai vlerësoi popullsinë shqiptare të Malit të Zi si një urë lidhëse mes dy vendeve, duke ndikuar ndjeshëm në afrimin e dy popujve si dhe evidentoi rolin e faktorit shqiptar në pavarësimin dhe avancimin e Malit te Zi ne proceset e integrimit euro-atlantik. Bashkëbiseduesit e njohën Ministrin Bushati me disa nga problemet e popullsisë shqiptare në Malin e Zi, që lidhen kryesisht me të drejtat e tyre të përfaqësimit në institucionet lokale dhe qendrore, menaxhimin e resurseve sipas legjislacionit vendas, si dhe përdorimin e gjuhës dhe simboleve kombëtare. U theksua nevoja e përmirësimit të kuadrit ligjor në funksion të arritjes së standardeve europiane dhe ndërkombëtare përsa i takon respektimit të të drejtave të pakicave kombëtare. Duke nënvizuar domosdoshmërinë e zgjidhjes së problematikave të ngritura, Ministri Bushati siguroi bashkëbiseduesit, se Qeveria e Shqipërisë do të vijojë të ndjekë me vëmendje ecurinë e mëtejshme të pozitave të shqiptarëve në Malin e Zi. Ministri Bushati përshëndeti angazhimin e ndërmarrë nga faktori politik shqiptar për tu grupuar politikisht ne 3 koalicione zgjedhore, si dhe inkurajoi vijimin e bashkëpunimit mes tyre për realizimin e një platforme te përbashkët ne Parlamentin e ri ne funksion te mbrojtjes se interesave të të gjithë shqiptareve ne Mal të Zi.