Partitë politike shqiptare, pasi të gjitha kanë qenë pjesë e pushtetit në koalicion me LSDM-në dhe BDI-në një moment të caktuar, akuzojnë njëra-tjetrën për këto vendime. Lëvizja Besa, në vazhdimin e seancës në Kuvend mohoi që zgjerimi i shumicës tani ka të bëjë me eurointegrimet, kurse Aleanca për Shqiptarët akuzoi Besën për jokorrektësi në qëndrimin e tyre.
“Sot kur vërtetë vendi duhet t’i hapë negociatat për anëtarësim në BE, kur vendi duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese, sot ju flisni për rrëzimin e BDI-së. Përse për këtë nuk flisnit në vitin 2020 kur e legjitimuat? Madje, madje sot po flisni dhe për bashkimin eventual me Alternativën, imagjinoni, kjo është tendenca juaj, flisni për bashkimin të cilin kategorikisht e refuzonit në vitin 2020”, deklaroi Halil Snopçe, Aleanca për Shqiptarët.
“Nuk mund ta mohosh dhe nuk ke si t’i ikësh, e shoh se je shumë i brengosur dhe i mërzitur për shkak se me hyrjen tuaj në qeveri e shpëtuat BDI-në në një moment shumë kritik për të dhe kësaj situate nuk keni si t’i ikni me arsyetimet për integrime evropiane për ndryshimet kushtetuese. Këto janë demagogji e pastër. Më befasoni si subjekt politik për shkak se ju një e provuat hyrjen në qeveri në 2017 dhe e dini se në fund mbetët me byrekun. Këtij byreku tani filloi t’i vijë era”, u shpreh Fadil Zendeli, Lëvizja Besa. Debati në Kuvend zhvillohet për zgjedhjen e ministrave të rinj, Krenar Lloga, Fatmir Mexhiti, Azir Aliun dhe Kaja Shutovën. Në sallë sot nuk ishte kryeministri, si propozues i tyre.
“Kolegë deputetë nga Aleanca për Shqiptarët, devijuat nga rruga juaj dhe ky është vendimi juaj legjitim politik. Luftuat tre vjet në opozitë dhe një vjet para zgjedhjeve hyni t’i jepni mbështetje armikut tuaj më të madh të cilin e keni quajtur kriminel dhe tani me thënie filozofike të dilni nga historia të cilën e krijuat vetë”, tha Nikolla Micevski, koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së.
“Që kemi probleme, kemi shumë. Që ende nuk e kemi gjetur recetën e vërtetë, ndoshta po. Por që ekziston vullnet brenda kësaj shumice për drejtësi, demokraci, tolerancë, për jetë për të gjithë, për empati, për solidaritet dhe për luftë kundër korrupsionit si e keqja më e madhe, këtë e dini ju dhe e dinë të gjithë, prandaj dhe kemi mbështetje”, theksoi Snezhana Kaleska-Vançeva, LSDM. Diskutimi për ministrat e rinj zhvillohet në pako kurse votimi do të bëhet individualisht. Pjesa më e madhe janë deputetët e VMRO-DPMNE-së ata që janë paraqitur për fjalime kurse gjatë netëve të kaluara seancat kanë zgjatur deri pas mesnate.