Në kuadër të festimeve për 75-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë janë përgatitur një sërë eventesh, ku ndër to ishte dhe vendosja e fotove të disa prej heronjve të popullit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Ky akt simbolik ka ngjallur debat dhe disa intelektualë përfaqësues të shtresave të persekutuara e kanë kundërshtuar ashpër, duke e konsideruar atë si një provokim.
Agron Tufa, drejtor i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, e dënoi këtë vendim, e cilëson fyerje dhe poshtërim për të dhe gjithë shtresën që ai përfaqëson. Sipas Tufës, është hipokrizi fakti që në të njëjtin vend ku para disa vitesh u nderuan martirët e sistemit komunist (gjatë vizitës së Papës në Tiranë), tani nderohen ata që i ai cilëson si vrasësit e tyre.
Ai shton se disa nga ata që iu janë nxjerrë fotot në bulevard, nuk kanë ndërruar jetë përgjatë luftimeve me pushtuesit, por duke luftuar me kundërshtarët politikë të kohës.
“Unë e quaj këtë thelbin e hipokrizisë në raport me ideoligjizimin e çështjeve të shtruara. Qeveria do të festojë dhe kapet në flagrancë të pastër. Një pjesë e madhe e atyre që janë vënë aty nuk kanë asnjë lidhje me luftën.
Ata janë pjesëmarrës të masakrave që kanë bërë në disa krahina, kryesisht në veri të Shqipërisë. Disa prej tyre janë aty në fotografi me uniformën e Sigurimit të Shtetit. Për shembull, Nuri Luçi ka rënë si shef i degës së Sigurimit të Krujës.
Por edhe një tjetër, Fejzi Micolli, ka rënë në vitin 1954 diku rrotull në Vermosh, duke luftuar me ata që i kanë quajtur me bandat. Por ai ka vdekur duke luftuar në betejën kundër Prek Calit dhe pastaj është quajtur hero. Pse ne duhet t’i quajmë heronj ata që kanë rënë në betejat vëllavrasëse kundër atyre që kërkon të mbronin territoret e tyre ndaj murtajës bolshevike.
Pse duhet t’i quajmë heronj dhe t’u përulemi. E dyta, kur i vënë dhe kanë guxim të vënë këta heronj, pse nuk vënë komandantët e tyre, si Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Koçi Xoxe, Kadri Hazbiu, Beqir Balliku, Miladin Popoviçi e Dushan Mugosha.
Këta shkojnë ose të gjithë tok ose asnjëri. Pra, nuk kanë pse t’i ndajnë nëse duan që t’i nderojnë. Por këtë gjë nuk e bëjnë dot, se ka dhënë urdhër partia. Këta as nuk dënojnë publikisht Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun, që të paktën të dalin këta të tjerët. Por nuk duan ta nxjerrin në bulevard e as mos ta dënojnë Enverin.
Tjetër aspekt që për mua është një hipokrizi. Kur erdhi Papa Françesku u mbush bulevardi me fotot e martirëve të komunizmit, ndërsa tani kanë nxjerrë pikërisht ata, vrasësit e atyre martirëve. Kjo është një nismë për axhendat e tyre ideologjike që na ofendon, se është trampolinë ku ata kanë elektoratin dhe i yshtin për të marrë vota.
Por të na e bëjnë këtë gjë edhe në vitin 2019, është përtej çdo imagjinate, pasi është përdhosje e kulturës, dinjitetit dhe inteligjencës sonë. Për mendimin tim, asnjë lloj heroizmi nuk kanë bërë.
Nëse ka qenë antifashist, ok, por nëse na shtiret ky heroizëm në korniza të ngushta ideologjike të Partisë Komuniste, dihet që ajo parti sot konsiderohet si terroriste.
Këtu përfshij edhe Qemal Stafën, në këtë pikë lëmë mënjanë formimin e tij të qenit ëndërrimtar, ose talent në të shkruar, jemi në vitin 1942 dhe ai asnjë plumb nuk ka shkrepur kundër fashizmit, ndryshe nga ata që u vranë kundër fashizmit që në ditët e para të pushtimit. Kjo është një tentativë për manipulim.
Një herë e kanë bërë, por jo tani. Tani është e papranueshme një veprim i tillë. Le t’i gjejnë udhë nostalgjisë së tyre enveriste e komuniste, por jo të na induktojnë edhe ne”, u shpreh Agron Tufa.