Skuadra e Vllaznisë ndeshjen e parë të këtij sezoni përballë Partizanit në transfertë do ta luaj ditën e dytë të këtij sezoni të ri. Federata shqiptare e futbollit ka vendosur që java e parë të ndahet në dy ditë. Kështu FSHF në njoftimin e saj bën të ditur se kampionati i Kategorisë Superiore do të ngrejë siparin e edicionit të 86-të më 18 gusht. Komisioni i Ligave dhe Garave në FSHF ka përcaktuar kalendarin e ndeshjeve të kampionatit “Kategorisë Superiore”, për javën e parë që do të luhen të ndara në dy ditë, konkretisht në datat 18 dhe 19 gusht. Më 18 gusht do të luhen takimet Dinamo City – Egnatia, sfidë që do të luhet në stadiumin “Elbasan Arena” në ora 20:00, teksa në po të njëjtën orë do të luhet në stadiumin “Niko Dovana” edhe ndeshja Teuta – Bylis.

Më 19 gusht do të luhet tre përballjet e radhës të javës së parë të kampionatit “Kategoria Superiore”. Laçi do të presë Tiranën në shtëpi, me sfidën që do të luhet në ora 17:00. Dy takimet e radhës do të luhen në ora 20:00, konkretisht Partizani – Vllaznia, që do të zhvillohet në stadiumin “Arena e Demave” dhe Skënderbeu – Elbasani që do të luhet në Korçë. Ndërsa kanë mbetur edhe 10 ditë nga nisja e sezonit të ri, ekipi kuqeblu është duke zhvilluar kështu përgatitjet e fundit për të qenë gati. Sezoni i kaluar nuk rezultoi edhe aq pozitiv pasi Vllaznia arriti vetëm të jetë mes katër më të mirave duke marrë pjesë në kompeticionet europiane por pa arritur të fitojë ndonjë trofe. Këtë vit objektiv mbetet sërish fitimi i trofeve dhe kryesisht synohet titulli kampion që mungon që nga viti 2001.

Sa i përket merkatos shkodranët kanë bërë disa afrime duke zëvendësuar lojtarët e larguar por ende stafi teknik është në kërkim të disa futbollistëve, të paktën të një sulmuesi për të mbështetur Bekim Balën në vijën e parë dhe një mbrojtësi të majtë sepse deri më tani Jago dhe Bajrami nuk japin sigurinë e duhur pas largimit të Esin Hakaj që firmosi me Elbasanin. Merkato është e hapur deri më 31 gusht dhe deri atëherë duhet pritur për formatimin e plotë të Vllaznisë e cila edhe këtë sezon futet me objektiva të mëdha.

Artikulli paraprak“FUTBOLLI, LIRIA, PARAJSA”, HISTORIA E RUDI VATËS NË LIBËR
Artikulli tjetërZYRTARI I UNESCO-S: PROTESTAT KUNDËR TURIZMIT MUND TË PËRHAPEN PËRTEJ SPANJËS