Pas rritjes së ndjeshme të fataliteteve në vitet 2020-2021 dhe në pjesën e parë të 2022-n, viti që sapo lamë shënoi një rënie të ndjeshme të tyre. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në vitin 2023 u shënuan gjithsej rreth 20 mijë vdekje, që është niveli më i ulët në 12 vjet, që nga 2011-a. Në krahasim me 2022-n, numri i vdekjeve ka rënë me 16%.
Ndërsa në raport me 2021-n, kur është shënuar dhe niveli më i lartë i vdekjeve në historinë e Shqipërisë, për shkak të pasojave të pandemisë, numri i vdekjeve ka rënë me 34%, ose rreth 10 mijë fatalitete më pak. Nga tremujori i dytë 2020, kur në vend u përhap pandemia e Covid-19, numri i vdekjeve u rrit me shpejtësi. në 2020-n rezultuan 27.6 mijë fatalitete, nga 21.8 mijë që ishte mesatarja e 2016-2019, me rritje 26.7%. Në 2022-n numri i tyre u rrit sërish, duke kulmuar në 30.5 mijë (shiko grafikun), ose 40% më shumë se mesatarja e 2016-2019.
Në 2022, fatalitetet ishin gati 24 mijë, sërish më të larta se mesatarja e para pandemisë (10% më shumë), si rrjedhojë e valës së pandemisë që ishte akoma e pranishme në pjesën e parë të vendit. Rënia e lartë e vdekjeve në 2023-n, sipas mjekëve shpjegohet me faktin se gjatë periudhës së pandemisë u përshpejtua humbja e jetëve dhe për të sëmurët kronikë. Për periudhën 2020-2022, në vend u shënuan rreth 16 mijë vdekje shtesë në krahasim me mesataren e 2016-2019, kryesisht si rrjedhojë e pasojave të pandemisë, një pjesë e madhe e të cilëve ishin të moshuar, që përndryshe mund të jetonin edhe disa vite. Nga ana tjetër në 2023 nuk kanë qarkulluar as viroza të rënda gripale, duke bërë që pasojat fatale të virozëve, që janë më të forta në muajt e ftohtë të vitit të jenë më të ulëta.