Pas 35 vitesh Festivali Mbarëkombëtar i këngës për Fëmijë ka startuar pa prezencën e dirigjentit dhe drejtorit artistik të këtij festivali “Mjeshtrit të Madh” Kujtim Alija i cili u nda nga jeta në gusht të vitit të kaluar. Në fillim të festivalit të pranishmit u ngritën ne këmbë duke duartrokitur punën e Profesor Kujtim Alise ne 35 vite .

Ermira, bashkëshortja e Kujtim Alise njëkohësisht dhe skenaristja e këtij edicioni të 60 të Festivalit të Këngës për Fëmijë, shprehet se nata e parë e festivalit pa Kujtimin ishte shumë e vështirë dhe me shume emocione.

Ermir Zoga i cili tani është në pozicionin e dirigjentit thekson se është një punë me shumë përgjegjshmëri të vish pas një emri të madh si ai i Kujtim Alise.

Dalja e fundit për media e profesorit Kujtim Alija, ishte pikërisht nga Festivali i Fëmijëve në Shkodër që u mbajt më 4 korrik të vitit 2021, ku u pa se sëmundja kishte lënë gjurmë në pamjen e tij, por jo në shpirt. Kujtim Alija është një prej emrave me një kontribut të madh në muzikën shqiptare. Festivali i parë shqiptar i këngës për fëmijë u zhvillua në Shkodër, më 10-11 maj 1963, një vit pas Festivalit të Këngës në Radio. Kjo bëri që ky festival të mbesë deri më sot “Pronë” e këtij qyteti.

Në gjithë këto vite dirigjenti, drejtuesi dhe organizatori shkodran Kujtim Alija, pati jo vetëm fatin, por edhe aftësitë të bëhej vazhdues i mjeshtrave, që drejtuan këtë festival, duke e drejtuar atë, pa munguar dhe pa i ndryshuar klasin asnjëherë, gjë që nuk ishte aq e thjeshtë. Nga ana tjetër, ai i rriti klasin këtij Festivali me zgjerimin e gjeografisë së tij, me pjesëmarrje të krijuesve dhe interpretuesve të vegjël nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Në mënyrë të natyrshme, Festivali i Fëmijëve u bë Mbarëkombëtar (në vitin 1993) gjë që i jep një meritë tjetër shumë të rëndësishme Kujtim Alise.

 

Artikulli paraprakSHKODËR, ÇEL SIPARIN EDICIONI I 60-të I KËNGËS PËR FËMIJË
Artikulli tjetërSHKODËR, MATURANTËT: PROVIMI I LETËRSISË MESATAR