Pas 9 viteve debat dhe ndërkohë që ish-kryeministri Berisha vazhdon të mbrojë marrëveshjen e viti 2009, vetë Greqia ka pranuar se Pakti Detar i asaj kohe kishte gabime. Ka qenë ky konkluzion që i ka sjellë palët pranë një gjuhe të përbashkët duke sjellë edhe akordin midis tyre. Shqipëria dhe Greqia kanë arritur në një marrëveshje të re për Paktin Detar për të përcaktuar Zonat Ekskluzive Ekonomike midis njëra-tjetrës. Lajmi bëhet i ditur nga mediat greke sipas të cilave kjo marrëveshje është arritur pasi Greqia ka pranuar se në marrëveshjen e bërë në 2009 në kohën e Berishës, është përdorur “pjesërisht metodologji e gabuar”, sidomos përsa i përket llogaritjes së distancave nga gjiret detare.

Lajmi për këtë marrëveshje fillimisht është dhënë nga një media e specializuar për problemet energjitike dhe më pas është marrë si referim edhe nga prestigjiozia “Huffingtonpost” në versionin grek. “Burime shumë të sigurta raportojnë se Greqia e Shqipëria kanë arritur një marrëveshje përfundimtare për të përcaktuar Zonat ekskluzive ekonomike midis njera-tjetrës. Këto burime raportojnë se në këtë marrëveshje pala greke pranon se deri më sot ndarja e kufirit detar për Zonat ekskluzive ekonomike është bërë, pjesërisht, me metodologji të gabuar, mendim që deri më tani e ka mbështetur pala shqiptare gjatë këtyre bisedimeve.

Domethënë që pranohet se gjiret detare duhet të llogariten si “të mbyllyra”, në mënyrë që nga kjo vijë të llogaritet marrëveshja sipas parashikimeve të Paktit Detar. Njëkohësisht pala shqiptare bie dakord përfundimisht që nuk ka asnjë pretendim për ishujt e vegjël Othon e Ereikoussas, çka ka shumë rëndësi në lidhje me marrëdhëniet greko-turke sa i përket përplasjes që kanë për ishullin Kastelorizo”, shkruan media helene. Kjo marrëveshja ka rëndësi të madhe për palën greke se përfundimi i saj i hap rrugën shfrytëzimit ekonomik, sidomos kërkimeve për gaz natyror, ku Greqia ka avancuar në dhënien e leje për shfrytëzim tek disa kompani të fuqishme ndërkombëtare.

Pakti i 2009

Në vitin 2009 Shqipëria dhe Greqia kanë nënshkruar Paktin Detar për të përcaktuar Zonat ekskluzive ekonomike. Nga pala shqiptare veç kryeministrit Sali Berisha ka qenë edhe ministri i jashtëm i asaj kohe Lulzim Basha, ndërsa nga pala greke kryeministri Kostas Karamanlis dhe ministria e Jashtme Doras Bakojanis. Kjo marrëveshja u mbajt e fshehtë për nga aan e të dhënave të saj, por pak kohë pas firmosjes së saj mediat shqiptare e denoncuan atë duke nxjerrë shkeljet. Një rol shumë të madh për të sqaruar opinionin public në denoncimin e kësaj marrëveshje ka luajtur koloneli në lirim Myslim Pashaj. Koloneli Pashaj faktoi se ky pakt i jepte Greqisë shumë më tepër hapësirë detare nga sa i takonte, në kurriz të Shqipërisë. Më pas Partia Socialiste e ka dërguar këtë marrëveshje në Gjykatën Kushtetuese e cila e rrëzoi me lehtësi me rezultat unamim, pasi veç problematikave të lëshimit të hapësirës detare ndaj fqinjëve kishte edhe parregullsi ligjore, siç ishte mos marrja e autorizmit të plotfuqishmërisë nga Presidenti i Republikës.

Debati para një jave në Kuvend

Pavarësisht gjithë këtyre, Sali Berisha ka vazhduar ta mbrojë me fanatizëm deri në fund Paktin e 2009, duke e qujatur një: “marrëveshje të mirë dhe të drejtë për Shqipërinë”. Këtë mendim e ka pasur deri tani vonë. Vetëm të enjten e kaluar marrëveshja e detit që qeveria Berisha bëri me shtetin grek ka qenë një temë e fortë debati në Kuvendin e Shqipërisë. Ka qenë ish-kryeministri Sali Berisha ai që bëri një akuzë të rëndë nga foltorja e Kuvendit lidhur me rrëzimin e Marrëveshjes së Detit me Greqinë nga Gjykata Kushtetuese.

Berisha tha se janë përdorur para e korrupsion duke iu referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila rrëzoi marrëveshjes mes dy vendeve në vitin 2009, e cila sipas vendimit të kushtetueses cenonte integritetin territorial të Shqipërisë. “Përmende marrëveshjen e detit, do të them kaq: Bëre gjithçka me para dhe korrupsion”, – tha Berisha duke akuzuar kryeministrin Edi Rama. Kreu i qeverisë u përgjigj se Berisha po mbron marrëveshjen që i hiqte Shqipërisë një pjesë të territorit me firmë të ish-ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha ndërsa i cilësoi absurde akuzat për korrupsion dhe blerjen e gjyqtarëve të kushtetueses në rrëzimin e kësaj marrëveshje. “Ju të PD vini këtu dhe të deklaroni të njëjtën gjë që deklaron një pjesë e politikës atje se, marrëveshja e bërë, e shpallur antikushtetuese 9:0 nga Gjykata Kushtetuese na qenka korrupsion dhe se ju i qëndroni asaj marrëveshje, zotin e shqiptarët paçi në qafë.

Ai sapo bëri një autodeklarim që i qendron Marrëveshjes së Detit. Gjykata Kushtetuese e rrëzoi 9 me 0 Marrëveshjen e Detit, duke mbrojtur interesin kombëtar. Ti atë marrëveshje e ke dashur, e ke bërë përmes dorës tënde në Ministrinë e Jashtme që sot e ke kryetar partie të komanduar. Ti i qëndron asaj marrëveshje dhe vazhdove të bësh të njëjtën gjë që bëri PD në Himarë, duke u shqyer ato zëra dhe ato forca përtej kufirit që propagandojnë këtë teori të shpifur, të ulët. Nuk ka asnjë palë të tretë, Sali, por çdo palë e tretë nuk është Shqipëria, nuk është interesi i Shqipërisë dhe kur vjen puna për Shqipërinë mos u bëj më grek se grekët dhe më turk se turqit”, – tha Rama. Kujtojmë se para dy javësh skena politike shqiptare u ndez nga një deklaratë e bërë nga ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias.

Ai tha se Greqia do të shpallë të drejtën e saj për një shtrirje të kufirit detar në zonën e 12 miljeve dhe këtë e ka pranuar edhe Shqipëria. Kjo deklaratë solli një reagim të fortë nga opozita që akuzoi Ramën e Bushatin për tradhti.

Ligji i Luftës e çështja “Çame”

Nga dy takimet dypalëshe midis Bushatit e Kotzias shumica e problematikave të vjetra midis Shqipërisë e Greqisë duket sikur kanë marrë zgjidhje. Pas arritjes së dakordësisë për Marrëveshjen e Detit tani të vetmet çështje madhore midis Greqisë e Shqipërisë që kanë mbetur pezull janë heqj e Ligjit të Luftës dhe çshtja “Çame”. Nëse për abrogimin e ligjit absurd të luftës parimisht pala greke ka rënë dakord vetëm duhet tashmë ta bëjë edhe juridikisht, për çështjen Çame situate është shumë më e ndërlikuar. Pala greke publikisht e mohon ekzistencën e kësaj çështje, por heqja e ligjit të luftës që i hap rrugën e kthimit të pronave shtetasve shqiptarë në Greqi mund t’I japë një zgjidhje edhe çamëve për pronat e tyre. Por kjo realizohet veçse nëse në marrëveshjen e re që do nënshkruhet midis Shqipërisë e Greqisë, nuk ka ndonjë klauzolë frenuese siç përfshinte Marrëveshja e 1996, ku thuhej se problematikat e shtetasve do zgjidheshin sipas ligjeve të vendeve reciproke.

Artikulli paraprakPANIK NË STADIUM, VËLLAI I OSMANIT BIE NGA TRIBUNA GJATE FESTIMIT TË GOLIT. URGJENT NË SPITAL
Artikulli tjetërITALI, GJENDET BIBERONI I RRALLË, MË SHUMË SE 2300 VJEÇAR /FOTO