Vitin e ardhshëm kompeticioni i rëndësishëm i këngës “Eurovision Song Contest” do të vijë me ndryshime të rëndësishme. Procesi i votimit do të ndryshojë plotësisht. Juritë profesionale nuk do votojnë dhe nuk do të kenë asnjë rol në netët gjysmëfinale. Pra, kjo do të thotë që këngët të cilat do të kalojnë në finale do të zgjidhen në bazë të votave nga shikuesit/publiku. Ndërsa në natën finale, fituesi i çmimit të madh do të zgjidhet duke bërë bashkë edhe votat e publikut edhe votimin e jurisë profesionale. Po ashtu vendet që nuk konkurojnë në garë do të lejohen të votojnë për të parën herë.
Këto ndryshime vijnë pasi u zbulua se gjashtë juri shkëmbyen vota në konkursin e këtij viti në Torino, Itali. Modele të parregullta votimi u zbuluan nga Azerbajxhani, Gjeorgjia, Mali i Zi, Polonia, Rumania dhe San Marino. Këto vota të jurisë u zbritën dhe u zëvendësuan me një rezultat të përgjithshëm, të llogaritur nga rezultatet e vendeve të tjera me të dhëna të ngjashme votimi. Në fund, konkursi u fitua nga Orkestra Kalush e Ukrainës, me Sam Ryder të Mbretërisë së Bashkuar që zuri vendin e dytë. Tridhjetë e shtatë vende do të marrin pjesë në konkursin e vitit të ardhshëm, ku Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut tërhiqen për shkak të kostos së pjesëmarrjes.
Rusia u përjashtua nga ngjarja e këtij viti pas pushtimit të Ukrainës. Pritet që të përjashtohet edhe për vitin e ardhshëm.