Dhuna si shkak i konfliktit fizik të ndodhur një ditë më parë gjatë finaleve të kampionatit kombëtar të boksit ka bërë që Presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit Florend Kalivopulli të japë dorëheqjen. Përmes një statusi në rrjetin social facebook në llogarinë e tij personale Kalivopulli ka njoftuar se këto ditë do të thërrasë Komitetit e Etikës në Federatën Shqiptare të boksit nga ku do t’i paraqesë edhe dorëheqjen për shkak të incidentit të ndodhur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” ku pati një përleshje fizike masive. Ja se çfarë shkruan Kalivopulli në statustin e tij:
“Të dashur miq! Duke reflektuar ndaj komunitetit të boksit, i cili me të drejtë është i shqetësuar kam vendosur që në ditët në vazhdim të thërras KE të Federatës Shqiptare të Boksit dhe t’ju kërkoj atyre dorëheqjen time. Shkak për këtë gjë ishin incidentet e djeshme ndodhur në qytetin e Shkodrës gjatë zhvillimit të kampionatit kombëtar të boksit. Jam munduar që me pasion dhe dashuri pa fund të bëja më të mirën. Boksi nuk duhet të ndalet. Rrugëtimi i tij premton”.
Ishte ndeshja e peshës 67 kilogram me Arjon Kajoshit të Vllaznisë dhe Alban Beqirit të Tiranës ajo që solli dhunë fizike jashtë ringut. Ndeshja u fitua nga Kajoshi me rezultatin e ngushtë 2-1 por trajneri i Tiranës, boksierë dhe tifozët bardheblu protestuan duke mos u pajtuar aspak me rezultat me pretendimin se pas presionit tek gjyqtaria nga tifozë të Vllaznisë rezultati i sfidës mes Kajoshit dhe Beqirit u ndryshua në favor të boksierit kuqeblu. Pas debateve trajneri i Tiranës, shkodrani dhe ish-boksieri i Vllaznisë vite më parë Sead Bushati u afrua tek tifozët kuqeblu duke bërë që situate të dalë jashtë kontrollit. Trajnerë, boksierë dhe tifozëve të të dy palëve zbritën në parket duke u përleshur në një sherr masiv për disa minuta. Situata u qetësua pasi kryegjyqtari Baftjar Zeqaj thirri në ndihmë forcat e policisë. Në pak minuta efektivët mbërritën në pallatin e sportit të Shkodrës duke qetësuar situatën. Fillimisht u tha se ndeshjet finale kur duheshin edhe katër për t’u zhvilluar do të ndërpritej por pas një orë gjyqtarët dhe ekipet u rikthyen për të vijuar por pa Tiranën e cila u tërhoq pas atij incidenti të rëndë. Vllaznia u shpalla kampione e Shqipërisë ndërsa katër ndeshjet e fundit boksierët kuqeblu i fituan për mosparaqitje të kundërshtarit pasi kishin përballë boksierët e Tiranës që ishin tërhequr. Këto incidente sollën edhe dorëheqjen e Presidentit të Federatës Shqiptare të boksit Florend Kalivopulli, një kërkesë kjo e trajnerëve dhe boksierëve të Tiranës.