Pasi u dorëzua përballë liderëve të eurozonës, kryeministri grek Aleksis Tsipras, duhet të luftojë tanimë me pjestarët e partisë së tij, Syriza, për të miratuar në parlament reformat që do të bënin të mundur nisjen e negociatave për paketën e ri të shpëtimit prej 86 miliardë eurosh. Kryeministri ka thërritur që në orën 8 të mëngjesit një mbledhje urgjente me grupin parlamentar të partisë së tij, para nisjes së sancës maratonë prej dy ditësh, ku pritet të votohet për miratimin e akordit të sigluar në Bruksel.
Në takim pritet të diskutohet edhe mbi 32 deputetët, mes tyre edhe 4 ministra të kabinetit, që kanë shprehur hapur kundërshtimin e tyre, ndërsa ka zëra se atyre do t’u kërkohet dorëheqja.Por sipas të përditëshmes Bild, edhe vetë kryeministri po e mendon të japë dorëheqjen në fundjavë, pasi të ketë miratuar me ndihmën e opozitës reformat në parlament. Ky veprim, sipas “Bild”, bëhet për të shmangur përgjegjësinë që të jetë ai zbatuesi i këtyre masave shtënguese dhe për t’i hapur rrugën një qeverie të re që të realizojë zgjedhje të parakohëshme. Po kaq i ashpër me këtë marrëveshje është treguar edhe ish-ministri i financave, Janis Varufakis, sipas të cilit ajo është e ngjashme me “Traktatin e Versajës” nënshkruar nga Gjermania pas kapitullimit në Luftën i Botërore në vitin 1919. Në disa prononcime për mediat, Varufakis ka deklaruar se Athina po punonte për një plan jashtë euros duke lënë të kuptohet se kthesa e Tsipras ka qenë edhe shkaku i përçarjes mes tyre. Gjithashtu, ish-kryenegociatori grek në diskutime ka ngritur alarmin, se me këtë program të ri, do të përfitojë kapital politik Agimi i Artë dhe eskponentë të tjerë të ekstremit të djathtë grek.