Dorëhiqet kryespiuni i Obamës Shefi i NSA-së, (National Intelligence Agency), James Clapper dorëzoi papritur dorëheqjen nga ky pozicion.

75-vjeçari i paraqiti Komitetit të Inteligjencës së Kongresit vendimin e marrë. Emri i tij qarkullonte në listën e personave që do të zëvendësoheshin menjëherë sapo në Shtëpinë e Bardhë të ulej Donald Trump. Analistët e interpretojnë këtë lëvizje të Clapper si një sinjal të dërguar prej tij në adresë të stafit të Trump që të përshpejtojnë me tranzicionin e pushtetit dhe të kenë gati emrat për postet kryesore. “Dorëzova dorëheqjen time në Kongres mbrëmjen e shkuar dhe më erdhi mirë që e bëra. Do të jem edhe 64 ditë në këtë detyrë”, deklaroi ai, duke nënkuptuar se do të ushtrojë funksionet e veta deri në largimin e Presidentit Obama. Shefi i NSA-së ka kompetenca të zgjeruara, madje me autoritetet të drejtpërdrejtë në 17 agjenci të ndryshme inteligjence, përfshirë këtu CIA-n, DEA-n dhe FBI-në. Atij i raportojnë periodikisht më shumë se 107 mijë të punësuar dhe zotëron një buxhet vjetor mbi 52 miliardë dollarë. Clapper ndodhet në këtë detyrë prej gjashtë vitesh. Periudha më e vështirë e tij në këtë post ishte shpërthimi i skandalit “Snowden”. Ai u thërrit në Senat dhe pyetjes nëse NSA “përgjonte apo grumbullonte të dhëna nga miliona amerikanë”, iu përgjigj me diplomaci. “Jo! Jo me vetëdije. Mund të ketë raste kur grumbullohen automatikisht të dhëna, por jo me dijeninë dhe qëllimin tonë”, tha ai. Më parë, tashmë kryespiuni i dorëhequr i Presidentit Obama, ka punuar në forcat ajrore amerikane dhe në Agjencinë Inteligjente të Pentagonit.

Artikulli paraprakRRËFIM – AHMET META
Artikulli tjetërSAMITI I DIASPORES,RAMA FTESA BASHES DHE NISHANIT