Letra e komisionerit Johanes Hahn ka marrë mbështetjen e menjëhershme të eurodeputetëve, Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein.
Fleckenstein i cili ishte dhe negociator për të arritur kompromisin mes maxhorancës dhe opozitës në Tiranë shkruan në Twitter “Pas bisedimeve në SHBA, të gjithë janë të trishtuar për situatën në Shqipëri. Përgjegjësia është e qartë” Më herët Eurodeputeti Eduard Kukan shkroi në Twitter se e mbështeste plotësisht letrën që komisioneri Johanes Hahn u drejtoi shqiptarëve.
Me një letër drejtuar dje qytetarëve shqiptarë, komisioneri për zgjerimin, dënoi ashpër çdo thirrje për të penguar të drejtën e qytetarëve për të votuar. Hahn theksonte se përfaqësuesit europian tentuan deri në fund për një marrëveshje por kjo nuk u arrit, e megjithatë procesi i zgjedhjeve duhet të vazhdojë edhe pse Partia Demokratike nuk do të marrë pjesë, thekson ai në letër.
Hahn u shpreh i keqardhur për bojkotin e opozitës, por theksoi se ky ishte vendimi i paramenduar i tyre dhe se mosmbajtja e zgjedhjeve nuk ka asnjë palë të fituar por thjesht me të ka humbur demokracia. Fatkeqësisht, thotë Hahn, zgjedhjet e 18 qershorit do të zhvillohen pa pjesmarrjen e partivë të opozitës, pasi sipas tij “ishte zgjedhja e qëllimtë e kësaj të fundit për të mos u bërë pjesë e garës”. Teksa shprehte keqardhjen, Hahn shkruante se procesi demokratik duhet të vazhdojë, edhe nëse disa vendosin të qëndrojnë prapa.
Nga ana tjetër Hahn dënoi çdo thirrje për “veprime” që do të dëmtonin të drejtën e çdo qytetari për të votuar dhe liritë e tjera themelore. Këto “veprime” nuk mund të justifikohen dhe nuk janë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian. “Kam besim të plotë se njerëzit e Shqipërisë do të kërkojnë nga udhëheqësit e tyre politikë të demonstrojnë përmbajtjen dhe maturinë demokratike që pritet në një vend që aspiron të jetë anëtar i BE”. Hahn ishte i qartë kur paralajmëroi se: “Udhëheqësit do të mbajnë përgjegjësi nëse përpiqen të shmangin aspiratat legjitime të popullit shqiptar për një të ardhme më të mirë.BE do të ndjekë dhe monitorojë nga afër procesin zgjedhor. Dhe edhe më thellë: ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim në rrugën drejt anëtarësimit në BE”.