Zgjidhjen e krizës politike, lideri demokrat Lulzim Basha e gjen tek 13 tetori. Një takim që pati këtë mëngjes në presidencë përreth 40 minuta, kokë më kokë me kreun e shtetit Ilir Meta, e ka bindur kryedemokratin, se aksionin opozitar tashmë duhet ta fokusojë tek data 13 tetor. Basha ka mirëpritur këtë të martë propozimin që kreu i shtetit bëri pasi njëjtë si opozita joparlamentare nuk i njohu zgjedhjet e 30 qershorit, se 13 tetori duhej të ishte një datë për tre zgjedhje: Përsëritjen e atyre vendore, zgjedhjeve parlamentare dhe zgjedhjeve për presidentin e ri. Kjo do të kërkojë ndryshime kushtetuese – tha Basha në një prononcim për gazetarët – por PD sipas tij, është e gatshme tu garantojë shqiptarëve zgjedhje të lira.

“Pa dyshim lidhte me 13 tetori. kreu i shtetit mendon se 13 tetori është një mundësi për daljen nga kriza politike përmes zgjedhje të parakohshme parlamentare, lokale dhe siç është shprehur politikisht edhe përmes zgjedhjeve të reja presidenciale, që nënkupton ndryshime kushtetuese. Duke vlerësuar maksimalisht qëndrimin e presidentit dhe shqetësimin e tij i kam bërë të qartë që PD dhe opozita e bashkuar janë në këtë betejë për interesin e njerëzve. Që zgjedhjet e ardhshme ndryshe nga farsa e 30 qershorit sic e deklaroi dhe OSBE/ODIHR, duhet të jenë për njerëzit dhe jo për partitë aq më pak për Ymer Lalët dhe shokun e tij bablokun e madh dhe oligarkët. Dhe se në këtë funksion opozita është e gatshme të ndërmarrë cdo hap për tu garantuar shqiptarëve të drejtën e votës që është dhunuar, cka e pamë edhe me 30 qershor ku Rama nuk i rezistoi dot tundimit të manipulonte edhe një proces votonte vet, numëronte vet, tabulonte vet. Dhe për të garantuar përmes zgjedhjeve të lira një qeveri që buron nga njerëzit”, tha Basha.

Bisedën që ka bërë me kreun e shtetit në Presidencë, Basha ja përcolli menjëherë krerëve të partive aleate, me të cilët ka qenë bashkë nga djegia e mandateve, tek protestat antiqeveritare dhe deri tek bojkoti i zgjedhjeve të 30 qershorit që i dha fitoren Partisë Socialiste në 61 bashkitë.

Hapi i radhës që opozita po përpiqet të ndjekë është të mos lirojë zyrat nga kryebashkiakët aktualë të PD-së dhe LSI-së në disa bashki, për t’i dorëzuar detyrën drejtuesve të rinj vendorë të zgjedhur më 30 qershor, tashmë në proces certifikimi nga KQZ dhe nga Gjykatat që vërtetojnë mandatin e tyre.

Presidenti Ilir Meta nga ana e tij ka shpallur 13 tetorin si datë të zgjedhjeve vendore, me një dekret të vlerësuar nul nga ana e mazhorancës, njëjtë si ai që zhdekretoi 30 qershorin. Por ofertën për zgjidhjen e krizës politike, Meta e bëri duke propozuar tre zgjedhje më 13 tetor, të cilat janë pranuar nga partia që drejtohet nga bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe së fundi, edhe nga Lulzim Basha.

Nuk dihet se si do të vijojë ky proces, por opozita dhe Presidenti tashmë janë duke diskutuar për hapat e radhës të aksionit të tyre.

Mazhoranca ka nisur procedurat për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta përmes një komisioni parlamentar hetimor, por kreu i shtetit ka deklaruar se nuk e lëshon karrigen e Presidentit deri në 2022 kur përfundon mandati i tij i plotë.

Artikulli paraprakNUK NDALET META, KTHEN NË KUVEND LIGJIN PËR QEVERISJEN VENDORE
Artikulli tjetërMBLIDHET TASK-FORCA PËR TURIZMIN NË VELIPOJË