Partia Demokratike do të mbledhë me urgjencë Kryesinë, pasi Apeli konfirmoi dënimin me 1 vit burg për deputetin Ervin Salianji.
Në mbledhjen e Kryesisë do të diskutohet për lëvizjen e PD pas dënimit të Salianjit, ndërsa mbledhja vjen pas asaj të grupit të PD. PD ka thirrur Kryesinë në një mbledhje urgjente sot në orën 20.00, ku edhe do të përcaktohet forma e aksionit politik të demokratëve. Më herët u thirr në mbledhje Grupi Parlamentar demokrat por pa u marrë vendim lidhur me qëndrimin e opozitës në vazhdim.
Ditën e nesërme, PD do të mbledhë sërish deputetët dhe pritet të dilet me një vendim për raportet e demokratëve me Kuvendin e Shqipërisë.
Ndër vendimet që pritet të merren mund të jetë kushtëzimi i raporteve me Kuvendin. Mjaft zëra në PD propozojnë reagim të fortë dhe nisjen e protestave kundër qeverisë.
Mbetet për t’u parë se cila do të jetë lëvizja që do të ndjekin demokratët, në shenjë proteste kundër dënimit të deputetit demokrat, Ervin Salianji. Salianji denoncoi në vitin 2018, përmes një audiopërgjimi, Agron Xhafajn, vëllanë e ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, për trafik droge. Denoncim i cili për Prokurorinë dhe Gjykatën është i rremë. Ndërsa këtë të enjte, Gjykata e Apelit la në fuqi dënimin me 1 vit burg për Salianjin.