Pas protestave masive për krizën e saj ekonomike, Presidenti i dorëhequr Gotabaya Rajapaksa është arratisur nga Sri Lanka me një avion ushtarak. Forcat ajrore të vendit konfirmuan se 73-vjeçari fluturoi për në Maldive me gruan e tij dhe dy forca sigurie.
Ata mbërritën në kryeqytet, Male, rreth orës 03:00 me orën lokale. Një burim për BBC tha se Rajapaksa nuk do të qëndrojë në Maldive dhe synon të udhëtojë në një vend të tretë.
Vëllai i tij, ish-ministri i Financave Basil Rajapaksa, gjithashtu është larguar nga Sri Lanka dhe thuhet se do të shkojë në SHBA.
Largimi i Rajapaksa i jep fund një dinastie familjare që ka sunduar Sri Lankën për dekada. Kur protestuesit hynë në rezidencën e tij të shtunën, presidenti ishte fshehur ndërsa ishte zotuar se do të jepte dorëheqjen.
Presidenti i Sri Lankës është fajësuar për keqmenaxhimin ekonomik të vendit, ç’ka ka sjellë mungesa të mëdha ushqimore, karburantesh dhe ilaçesh prej muajsh. Dorëheqja e tij u njoftua fillimisht nga kryetari i parlamentit të shtunën, por qytetarët iu përgjigjën me skepticizëm idesë se ai do të hiqte dorë nga pushteti.
Sri Lanka është zhytur në një krizë të thellë financiare dhe turmat e qytetarëve që u ngritën në protestë u futën në rezidencën presidenciale dhe i vunë zjarrin.