Pas SHBA edhe CDU e Merkel kundër bojkotit të PD
Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe partia e Angela Merkel, CDU, një partner ky i Partisë Demokratike, pozicionohet kundër bojkotit të opozitës. Përmes një letre të mbërritur në selinë e demokratëve, e siguruar nga Shqiptarja.com, cila mban datën 23 mars, zëvendëskryetari i grupit të CDU-CSU në Parlamentin gjerman, Franz Josef Jung, i cili është njëkohësisht edhe shefi i politikës së jashtme në CDU, si dhe ministër i Mbrojtjes së Gjermanisë, i kërkon Lulzim Bashës të heqë dorë nga rruga e bojkotit të zgjedhjeve. Në letrën e Jung sqarohet se CDU pajtohet me shqetësimet e opozitës për shitblerjen e votës, por shton gjithashtu se bojkoti nuk është zgjidhje në një kohë kur Brukseli pret zbatimin e Reformës në Drejtësi. “Edhe ne jemi gjithashtu shumë, shumë te shqetësuar që në zgjedhjet e 18 qershorit mund të ketë fallsifikim të madh të zgjedhjeve si rezultat i blerjes së votave dhe mjeteve të tjera. Por ne mendojmë se është rruga e gabuar, që ky problem mundohet të zgjidhet përmes bojkotit parlamentar dhe deklarimin e mos regjistrimit për zgjedhjet e 18 qershorit, nëse qeveria e zgjedhur shqiptare nuk jep menjëherë dorëheqjen dhe të zëvendësohet me një “qeveri teknike” nga të gjitha grupet parlamentare. Vonesa e reformës në drejtësi dhe bojkoti i zgjedhjeve nga opozita do ta kthenin Shqipërinë shumë mbrapa në rrugën e saj drejt BE-së. Dhe do të dëmtonte shumë marrëdhëniet mes PD-së dhe CDU/CSU-se” – thuhet në letrën e Jung drejtuar kryetarit të PD, Lulzim Basha.