Vetëm një ditë pas takimit me kryeministrin, Edi Rama më homologun grek, Qirjakos Mitsotaqis në Athinë, qeveria ka shkrirë grupin negociator për ‘Marrëveshjen e Detit’ të ngritur që në kohën e ish-ministrit Ditmir Bushati, duke reduktuar përfaqësuesit. Pas këtij takimi kryeministri Rama ka firmosur një VKM, ku aktivizon edhe një komision të posaçëm për administrimin e ujërave ndërkufitare.

Komisioni i mëparshëm përbëhej nga 13 anëtarë, ndërsa komisioni i ri do të jetë me 7 anëtarë. Vendimi i qeverisë për “përbërjen dhe funksionimin e komisionit të posaçëm për administrimin e ujërave ndërkutare” është ndërmarrë në mbledhjen e së mërkurës, ku komisioni përbëhet nga 7 zëvendësministra dhe kryetar është përcaktuar zëvendësministri për Punët e Jashtme, por nuk cilësohet se cili prej tyre do të drejtojë komisionin,

duke qenë se aktualisht janë dy të tillë, konkretisht Etjen Xhafaj dhe Sokol Dedja. Ndryshe nga komisioni i deritanishëm, që përbëhej nga ministrat, komisioni i ri do të përbëhet nga zëvendësministrat, duke nisur nga zëvendësministri i Jashtëm,

që është njëkohësisht edhe kryetar, një zëvendësministër i Brendshëm, zëvendësministër nga Ministria e Mjedisit, zëvendësministër nga ministria përgjegjëse për furnizimin me ujë të pijshëm dhe kanalizimet, zëvendësministër i Energjisë, zëvendësministër i Bujqësisë dhe zëvendësministër i Mbrojtjes.

Ndërkohë, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore ka rolin e sekretariatit teknik të Komisionit dhe do të raportojë periodikisht te Kryeministri Rama për veprimtarinë e Komisionit. Rama pas takimit me Mitsotaqis deklaroi se biseduan për çështjen e kufirit detar, me shpresën se do gjendet një zgjidhje konsensuale.

Me anë të kësaj VKM pritet të shkohet një hap më tej, 9 vjet pas bllokimit të marrëveshjes së qeverisë Berisha me Greqinë, bllokim që erdhi nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila me votim unanim më 26 janar 2010 shpalli në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë “Projekt-marrëveshjen midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për delimitimin e zonave të tjera detare, që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Vendimi i gjykatës u shpall më 15 prill 2010, vendim i cili gjykoi në themel këtë marrëveshje.

VKM:

“Vendim për përbërjen dhe funksionimin e komisionit të posaçëm për administrimin e ujërave ndërkufitare

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 8, dhe të pikës 2, të nenit 22, të ligjit nr.111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përbërja e Komisionit të Posaçëm për Administrimin e Ujërave Ndërkufitare (në vijim, Komisioni) është, si më poshtë vijon:

⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për punët e jashtme, kryetar;

⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për punët e brendshme, anëtar;

⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për mjedisin, anëtar;

⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për furnizimin me ujë të pijshëm dhe kanalizimet, anëtar;

⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për energjinë, anëtar;

⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për peshkimin, ujitjen dhe kullimin, anëtar;

⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për mbrojtjen, anëtar.

2. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore ka rolin e sekretariatit teknik të Komisionit dhe kryen këto detyra:

a) Organizon mbledhjet e Komisionit dhe njofton anëtarët;

b) Planifikon dhe harton projektaktet, sipas tematikave përkatëse;

c) Realizon çdo detyrë tjetër që i ngarkon kryetari i Komisionit;

ç) Raporton periodikisht pranë Kryeministrit për veprimtarinë e Komisionit.

3. Komisioni ngarkohet për administrimin e ujërave ndërkufitare, administrimin e marrëdhënieve me shtetet kufitare për këto ujëra, duke u bazuar në legjislacionin shqiptar, në marrëveshjet ndërkombëtare, konventat dhe protokollet e nënshkruara nga Republika e Shqipërisë.

4. Komisioni ka të drejtë të krijojë nënkomisione me ekspertë të fushave përkatëse për probleme dhe çështje specifike.

5. Titullarët e institucioneve përgjegjëse të përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, caktojnë përfaqësuesit e tyre në këtë Komision.

6. Vendimi nr.177, datë 26.3.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, përbërjen, funksionimin, përgjegjësitë dhe detyrat e Komisionit të Posaçëm për Administrimin e Ujërave Ndërkufitare”, i ndryshuar, shfuqizohet.

7. Ngarkohen Komisioni i Posaçëm për Administrimin e Ujërave Ndërkufitare, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe institucionet e përmendura në pikën 1, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Artikulli paraprakSISTEMI BANKAR/ ZGJEROHET STOKU I DEPOZITAVE DHE I KREDISË PËR INDIVIDË E BIZNESE
Artikulli tjetërINFO PLUS – 31.10.2019