Reshjet e mëdha të shiut në Greqi reduktuan rrezikun e zjarreve në pyje dhe në pjesë të mëdha të vendit, për herë të parë në më shumë se tre muaj, njoftoi sot Departamenti grek i Mbrojtjes Civile.
“Autoritetet arritën të shuanin edhe zjarret e mëdha në zonën pyjore të Dadias pranë kufirit greko-turk”, raportoi transmetuesi grek ERT.
Megjithatë, Greqia pret të ndodhin përmbytje, rrëshqitje të tokes dhe ndërprerje të energjisë elektrike. Sot në mbrëmje priten reshje të mëdha shiu në Greqinë qendrore. Dëme të mëdha priten gjithashtu në veri, kryesisht në ishullin Eubea. Departamenti i Mbrojtjes Civile paralajmëroi se priten reshje të dendura shiu, stuhi, breshër, frekuencë të lartë të vetëtimave dhe rënie të dukshme të temperaturës gjatë ditëve në vijim. Kryesisht do të preken rajoni qendror i Greqisë, Thesalia, si dhe arkipelagu i Sporades, veriu i ishullit Eubea dhe gadishulli i Peloponezit në Greqinë jugore. Stuhi të tilla janë të pazakonta në këtë periudhë të vitit në Greqi, pasi zakonisht ato shfaqen nga tetori e në vazhdim. Sipas gazetës “To Proto Thema”, autoritetet greke do të jenë në gatishmëri të lartë.