Zhurma e madhe mediatike gjatë këtyre ditëve për mbylljen e zyrave për dhënien e pasaportave pranë drejtorisë së policisë të qarkut Shkodër duket se ka dhënë efektin e duhur. Ministria e Brendshme urdhëroi këto ditë që firma e kontraktuar “Aleat” duhet që edhe këtë të shtunë të lërë në punë punonjësit e saj dhe zyrat për marrjen e pasaportave të qëndronin hapur deri në orën 12:00 të paradites.
Në fakt këtë të shtunë, ndryshe nga radhët e tjera zyrat kanë qëndruar të hapura deri në orën 12:00 duke pritur të gjithë qytetarët për të bërë shpërndarjen e pasaportave. Ndryshe nga fundjavat e kaluara këtë radhë nuk ka patur aspak fluks pranë drejtorisë së policisë ku gjendet zyra përkatëse. Dyert dhe zyrat kanë qëndruar të hapura por kësaj here duket se qytetarët nuk kanë zgjedhur fundjavën. Nga sa mësohet nga punonjësit e zyrës “Aleat” gjatë kësaj të shtune vetëm në orët e para kur është hapur zyra ka patur një fluks normal teksa nuk janë paraqitur më shumë se 40 persona për të marrë pasaportat e tyre. Krahasuar me ditët e tjera të javës ky numër është normal për të mos thënë minimal. Kjo e shtunë kaloi pa radhë të gjata dhe zyrat qëndruan të hapura. Mesa duket sërish në fillim e javës së ardhshme, kryesisht ditën e hënë dhe të marte pritet që fluksi i qytetarëve të jetë më i madh për t’u paisur me pasaporta. Pavarësisht nëse do ketë fluks apo jo, zyrat e “Aleat” thuhet se do të respektojnë oraret zyrtare dhe çdo urdhër që do vijë nga ministria e brendshme në mënyrë që të mos krijohet një konfuzion ashtu si më parë. Në këtë sezon ka kërkesa më të mëdha si shkak i ardhjes së shqiptarëve nga vendet e ndryshme të europës për t’u paisur me pasaporta.