Zhvillimet e vrullshme social-ekonomike në Shqipëri, gjatë viteve të fundit, kanë sjellë pasiguri të mëdha në radhët e të rinjve. Duke u bazuar në statistikat zyrtare, sociologët thonë se rënia e ndjeshme e numrit të martesave dhe rritja e numrit të divorceve, e vendosin familjen shqiptare në krizë. Sipas tyre papunësia e lartë në radhët e të rinjve me afro 20%, emigracioni, dhe informaliteti në ekonomi janë arsyet kryesore që ata e shtyjnë moshën e martesës. Studiuesit thonë se pasojat e këtij fenomeni do të sjellin plakjen e popullsisë dhe thellimin e raportit negativ mes kontribuesve dhe përfituesve në skemën e sigurimeve shoqërore. Zyrtarët thonë se kanë marrë masa për të rritur punësimin dhe sigurinë e të rinjve në tregun e punës, por efekti i tyre për ekspertët është ende i ulët. Në Shqipëri gjatë viteve të fundit po vihet re një fenomen shqetësues për studiuesit e zhvillimeve shoqërore, ai i rënies së numrit të martesave. Në dekadën e fundit ato janë tkurrur me rreth 18% krahasuar më atë paraardhëse, dhe po kaq në vitin 2021, ose me rreth 4 mijë më pak, krahasuar me mesataren e 5 viteve të fundit. Studiuesit mendojnë se të rinjtë sot e shtyjnë moshën e martesës të kushtëzuar nga disa faktorë, që lidhen me karrierën, arritjet profesionale, punën dhe të ardhurat financiare. Sipas statistikave të INSTAT, sot papunësia në radhët e të rinjve të moshës 15 deri 29 vjeç është mbi 20%, ose 10 pikë përqindje më e lartë se niveli i papunësisë në tërësi. Këto tregues sipas ekspertëve ulin mundësitë për krijimin e familjes dhe të sjelljes në jetë të fëmijëve. Zëri i Amerikës pyeti disa qytetarë, mes tyre dhe të rinj, mbi këtë fenomen. Ata veçuan si pengesën kryesore, për krijimin e martesës, mundësitë e kufizuara ekonomike. Sociologët vërjenë se në prag të një martese, hyjnë disa faktorë në lojë, ku kryesoret janë, puna, të ardhurat dhe strehimi.
“Pyetja që ne shtrojmë është: A është e mundur që me të ardhurat mesatare ne të garantojmë mundësinë e të paturit të një çatie mbi kokë? Kërkohet një siguri kontraktuale. A është e mundur që ne sot të garantojmë këtë siguri kontraktuale? Fillimisht ne duhet të sigurojmë nevojat më bazike dhe nevojat për siguri. Nevojat për siguri përkthehen në nevojë për një kontratë pune të sigurt dhe nevojë për një strehë të sigurt”- u shpreh për Zërin e Amerikës Ela Tollkuçi, psikologe sociale.
“Në fakt ne kemi vërejtur se ka një disbalancë shumë të madhe mes të ardhurave që kanë të rinjtë sot dhe asaj çfarë ata duan të krijojnë në të ardhmen e tyre. Dhe kjo ndonjëherë bën që ata të ndihen të paplotësuar”- tha për Zërin e Amerikës, Arjana Muçaj, Shefe e Departamentit të Pedagogji – Psikologjisë në Universitetin e Tiranës.
Një nga të dhënat që e bën më të vështirë situatën e të rinjve në vend, lidhet me faktin se sipas INSTAT, 26.1 % e të rinjve të grupmoshës 15-29 vjeç nuk janë as në punë dhe as në shkollë. Autoritetet thonë se kanë marrë masa për të ulur papunësinë dhe nxitur aftësimin profesional tek të rinjtë, përmes disa nismave të posaçme. Sipas tyre ka nisur të zbatohet një program për Kodimin, që parashikon subvencionimin nga buxheti i kurseve për të rinjtë në këtë fushë, gjithashtu dhe ofrimin e kurseve falas për profesione të kërkuara në treg si hoteleri turizëm, grafik dizajn dhe aftësi digjitale. Mbështetje ofrohet edhe për çeljen e bizneseve të reja, dhe 50% e përfituesve, thonë zyrtarët, aktualisht janë të rinj. Gjithashtu dhe bizneseve që punësojnë të rinj të papunë u subvencionohet gjysma e pagës për ta. Sipas tyre, fokus të veçantë këtë vit do ketë një program që aplikohet edhe ne vendet e BE, ai i garancisë rinore.
“Garancia rinore parashikon ofrimin e një mundësie punësimi brenda 4 muajve, trajnimi ose edukimi për çdo të ri që është jashtë tregut të punës, pra i papunë, nuk është në një formim profesional ose nuk është në një proçes edukimi”- u shpreh për Zërin e Amerikës, Klevis Hysa, Drejtor i Agjensisë Kombëtare të Punës dhe Aftësimit.
Por sociologët thonë se kostot e jetesës po rriten çdo ditë, në raport me mundësitë. Qeveria ka njoftuar rritjen e pagës mesatare në rreth 900 euro ose me 67%, ka rritur pagën minimale, pagën në disa sektorë publikë, por statistikat e papunësisë në radhët e të rinjve me 20% i zbehin këto nisma. Ekspertët e lidhin numrin në rënie të martesave me pasigurinë në tregun e punës si emigrimin në shkallë të lartë të të rinjve. Sipas të dhënave të INSTAT, rreth 110 mijë apo afro 64% e shtetasve që kanë emigruar në vitet 2011-2019, janë të rinj të moshës 15-34 vjeç. Studiuesit thonë se pasojat në shoqëri do të jenë të mëdha, nëse të rinjtë vendosin gjithnjë e më pak martohen, të shtyjnë moshën e martesës, apo të largohen nga vendi.
“Çdo shoqëri mbahet me kontributet e çdo grupmoshe. Do të shohim që kemi të rinj të cilët mbeten beqarë, nuk krijojnë familje. Ata do të kthehen në të moshuar, që do të jenë në një barrë për shoqërinë. Do të jenë kosto për çdo qeveri që do të vijë. Do të ulet numri i kontribuesve dhe popullsia do plaket. Nëse nuk sjell në jetë pasardhës kush do të kontribojë”?- vijoi Arjana Muçaj, Shefe e Departamentit të Pedagogji – Psikologjisë në Universitetin e Tiranës.
Studiuesit vënë re me shqetësim se rënia e numrit të martesve po shoqërohet dhe me rritjen e divorceve, tregues që sipas tyre e vendosin familjen shqiptare në krizë. Zhvillimet e vrullshme social-ekonomike në vend, emigrimi, papunësia, informaliteti në ekonomi, kanë sjellë pasiguri të shumta,- thonë ata, ndaj martesa nuk është në planet e të rinjve. Kostot e kësaj krize kanë filluar të ndihen me rënien e numrit të lindjeve në vend, rritjen e moshës mesatare të popullsisë, pra plakjen e popullsisë, mungesën e fuqisë punëtore dhe raportin e zhdrejtë mes kontribuesve dhe përfituesve në skemën e sigurimeve shoqërore. Këta faktorë e dëmtojnë shoqërinë në terma afatgjatë, argumentojnë studiuesit, ndaj dhe masat e ndërmarra për parandalimin e tyre kanë ndikim të ulët në shoqëri.