Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vizitoi këtë të mërkurë Slloveninë pas përmbytjeve katastrofike që sollën edhe disa të vdekur në këtë vend. Ajo dhe kryeministri slloven Robert Golob vizituan zonat e përmbytura ndërsa zyrtarja e BE në axhendë ka edhe një fjalë para deputetëve slloven.
Ndërkohë Europa ka nisur solidarizimin përmes ndihmave për Slloveninë që u përball me përmbytjet më të rënda të viteve të fundit.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një bisedë telefonike me kryeministrin slloven Robert Golob, shprehu solidaritetin e NATO-s me Slloveninë, ndërsa vendet anëtare të Aleancës ofruan mbështetje me helikopterë, ura modulare, ekskavatorë dhe ekspertizë inxhinierike.
Një ekip ekspertësh nga Agjencia Federale Gjermane për Asistencë Teknike ka filluar të vlerësojë dëmet dhe të përgatitet për vendosjen e personelit shtesë emergjent me pajisje të rënda shpëtimi pas përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të tokës që shkatërruan Slloveninë. Edhe Franca dërgoi mjete për ndihmë.
Spanja ofroi një helikopter CH-47 që mban 25 persona, duke përfshirë ekuipazhin dhe stafin mbështetës.
Dërgimin e ndihmës drejt Sllovenisë e ka paralajmërua edhe ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë, Sllavjanka Petrovska, e cila tha se njëqind anëtarë të ushtrisë do të nisën drejt Sllovenisë ditën e nesërme.
Përmbytjet në Slloveni përfshinë gati dy të tretat e vendit për ditë të tëra. Qindra mijëra shtëpi janë shkatërruar, urat janë shembur ndërsa në disa zona uji ende nuk është tërhequr. Mijëra njerëz janë evakuuar nga shtëpitë në Slloveninë veriperëndimore dhe qendrore. Rreth 16,000 familje vijojnë pa energji elektrike, ndërsa bilanci i viktimave është 6.