Kronika e një ditë më parë e transmetuar në edicionet informative për mospastrimit prej disa ditësh në rrugën që të çon në kalanë “Rozafa” ka sjellë reagimin e dy institucioneve përkatëse. Nga sa bëhet e ditur vetëm pak orë pas transmetimit së shqetësimit për mbeturinat që nuk pastroheshin prej shumë ditësh, Bashkia Shkodër ka marrë masat e duhura dhe ka bërë pastrimin e mbeturinave.
Vendet ku një ditë më parë ishin të mbushura nga mbetjet tashmë janë pastruar duke shmangur atë imazh që më shumë se gjithçka nuk është aspak pozitiv në sytë e turistëve të huaj. Po ashtu drejtorja rajonale e monumenteve të kulturës në Shkodër Majlinda Laçej ka reaguar përmes një deklarate për shtyp duke thënë se është kompetencë e Bashkisë Shkodër menaxhimi i mbeturinave në rrugët dhe lagjet e qytetit ku natyrisht bën pjesë edhe aksi që të çon në kalanë Rozafa. Po ashtu drejtorja Laçaj në deklaratën e saj për shtyp bën me dije se pikërisht për këtë problem për herë të fundit i është drejtuar Bashkisë Shkodër me një shkresë të protokolluar që mban datën 11 gusht 2015, pra jo më larg se para 6 ditësh. Në atë shkresë DRKK i ka kërkuar Bashkisë zgjidhjen e këtij problem dhe marrjen e masave të duhura. Në shkresën drejtuar Bashkisë thuhet se në kuadër të ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore kërkohet pastrimi i mbeturinave sepse kështë një shqetësim si për banorët edhe për turistët e shumë që vizitojnë këtë monument me vlera të pakrahasueshme dhe se ka një impakt negative në promovimin e turizmit kulturor për qytetin e Shkodrës. Mesa duket kjo shkresë zyrtare nuk është marrë parasysh. Vetëm pas kronikës së transmetuar nga “Star Plus” është bërë e mundur pastrimi i mbeturinave. Nëse mbetjet lihen sërish pa u pastruar atëherë përsëri do jetë pjesë e edicioneve informative sepse është e pafalshme që objekte të tilla të zaptohen nga mbeturinat.