NË VEND TË BASHKISË SHKODËR PASTRIMIN E BËN KOMUNA RRETHINA. Mbeturinat që ndodheshin pranë inspektoriatit të mjedisit dhe policisë pyjore kanë nisur që të pastrohen. Në fakt duhej të ishte Bashkia Shkodër ajo që duhet ta pastrojë këtë pjesë sepse bën pjesë në vijën e verdhë të qytetit të Shkodrës. Pavarësisht se është territor i Bashkisë, ky aksion për pastrimin e mbeturinave është ndërmarrë nga Komuna Rrethina kudo në rrugën nacionale Shkodër-Podgoricë.
Herë pas here si shkak i hedhjes pa kriter të mbeturinave jashtë godinës ku dikur ndodhej instituti i misrit, është krijuar një situatë tejet problematike. Nga grumbulli i madh i mbeturinave ajo pjesë gati është kthyer në një vend-depozitim mbetjesh. “Star Plus Televizion” herë pas here ka ngritur këtë shqetësim duke qenë se pamja që ofrohej jashtë ambjenteve të godinës së inspektoriatit të mjedisit dhe policisë pyjore ishte aspak e mirë. Ai aks rrugor është i një rëndësie të veçantë duke qenë se është përballja e parë e turistëve të huaj që hasen kur nga pika doganore e Hanit të Hotit vijnë drejt qytetit të Shkodrës. Natyrisht që janë persona të papërgjegjshëm të cilët ndotin në masë atë zonë. Masat qoftë nga Bashkia Shkodër për pastrimin apo edhe organet e tjera për ndëshkimin e atyre që hedhin mbeturinat kanë munguar.